Vrau 34-vjeçarin në Astir pasi i ngacmoi të dashurën, Darmend Keli me kokën ulur në gjyq

Nga A2 CNN
27 Gusht 2024, 11:40 | Kronikë

Tre ditë pasi i mori jetën duke e goditur me thikë Amarildo Hoxhallarin në mes të rrugës në zonën e Astirit, 25-vjeçari Darmend Keli ka dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë. Gjykata e Tiranës vendosi masën "arrest në burg" për të riun.

Në pamjet e siguruara nga A2 CNN, i riu shihet pas kafazit të xhamit me kokën ulur, teksa në momente të caktuara mbulon fytyrën me duar.

Kujtojmë se ai qëlloi disa herë me thikë Hoxhallarin, pasi e kishte parë 34-vjeçarin nga ballkoni i banesës së tij duke i ngacmuar të dashurën në rrugë. 

"Përcolla të fejuarën për tek parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon pashë që një motor po e ndiqte dhe fliste duke e ndjekur paralel në makinë. I fola nga ballkoni më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi. Pas përplasjes në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia”, dëshmoi ai para hetuesve.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:45 të datës 24 gusht. Amarildo Hoxhallari u dërgua në spitalin e Traumës, por në orën 20:00 u mësua se ai kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve të rënda.

Sipas policisë, i riu u godit 4 herë me thikë, dy në gjoks dhe 2 në këmbë. Për të njëjtën ngjarje u la në burg edhe Ardi Marishta, personi që drejtonte motorrin me të cilin po lëvizte viktima para se të qëllohej me thikë nga Darmend Keli.

Sa i përket Amarildo Hoxhallarit, ai ishte një emër i njohur në skedarët e policisë. Në vitin 2015 u arrestua së bashku me kushëririn e tij Aurel Hoxhallari pasi u akuzuan se ishin porositës dhe financues në atentatin e ndodhur më 5 janar 2015 në rrugën e Kavajës në Tiranë ku mbeti i plagosur Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit dhe një efektiv.

Nga të shtënat e armës së efektivit Roland Meta mbeti i vrarë atentatori Artur Baze që sipas policisë ishte paguar nga kushërinjtë Hoxhallari.

Ndërkohë, në 2018, Aurel Hoxhallari pagoi shtetasin grek Efthymiou Efthymious për të vrarë Devi Kasmin. Kushëriri i 34-vjeçarit Aurel Hoxhallari u dënua me burgim të përjetshëm ndërsa Gjykata e Posaçme i konfiskoi pasurinë./ A2 CNN (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos