Vrau mamanë dhe plagosi babanë, kapet autori

Nga A2 CNN
24 Gusht 2026, 22:37 | Kronikë

Vrau mamanë dhe plagosi babanë, kapet autori

Policia e Lushnjës ka arrestuar Florion Dalladakun, pak orë pasi ai dyshohet se vrau mamanë e tij me sqepar dhe plagosi të atin, raporton A2 CNN. Autori i dyshuar u kap duke drejtuar automjetin e vëllait, në tentativë për të dalë nga qarku Fier.

"Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit të shërbimeve të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Komisariatit të Policisë Lushnjë, u bë i mundur lokalizimi i autorit të dyshuar, pranë Spitalit Memorial, Fier, dhe vënia në pranga e tij, rreth një orë pas ngjarjes", tha policia.

Shtetasi F. D., 45 vjeç, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, së bashku me automjetin që drejtonte, ku po kryhen veprimet procedurale.

Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 21:20, në fshatin Zhymë të njësisë administrative Krutje. 45-vjeçari Florion Dalladaku dyshohet se, në banesë, për motive ende të paqarta, ka goditur me sqepar nënën e tij, shtetasen Fanije Dalladaku, 80 vjeçe, e cila, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën, si dhe ka plagosur rëndë babanë e tij, shtetasin Hasan Dalladaku, 77 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Sipas policisë, Dalladaku dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Ai u largua fillimisht nga banesa, por u arrestua nga policia rreth një orë pas ngjarjes.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos