Një verë mes plumbave dhe frikës, nga atentati në Elbasan te vrasjet në Korçë, Ksamil e Shkodër

Nga Marjo Brakaj
24 Gusht 2026, 15:18 | Kronikë

Grabitje, vrasje, rrëmbime, atentate... dhjetëra armë të përdorura e qindra fishekë të shkrepur... Ngjarjet kriminale morën hov këtë verë, duke lënë pas 11 viktima. Në gusht, një ish-ushtarak vrau shokun e fëmijërisë në Korçë; në Elbasan, njerëzit u tmerruan nga një atentat në mes të ditës, për fat të dështuar. Ksamili regjistroi një ngjarje të rëndë, ku punonjësi i sigurisë private qëlloi për vdekje një turist, ndërsa rreth 50 plumba i morën jetën babë e bir në Shkodër.

 “Dy janë arsyet, në gjykimin tim: vera si stinë dhe rritja e ndjeshme e numrit të turistëve që vizitojnë vendin tonë. Në këtë periudhë ka një fluks më të madh njerëzish dhe, për pasojë, edhe më shumë mundësi për përplasje apo ngjarje kriminale. Një tjetër element është kriminaliteti i importuar nga Europa, pasi një pjesë e personave me precedentë kriminalë mund të vijnë në Shqipëri për të kryer aktivitetet e tyre.”, tha Arben Hajdarmataj, ish-drejtues i Policisë.

Ditën shërbëtorë të shtetit, natën roje lokalesh!... Do të duhej të ishin më profesionistë, por temperaturat e larta dhe vetëm në rritje “tradhtuan” edhe kualifikimin e Miosid Matushaj, Luciano Seferi dhe Romeo Shehut.

 “Punonjësit e Policisë mund të punojnë edhe si roje private, në përputhje me kuadrin ligjor, por kjo nuk do të thotë se ata mund të keqpërdorin pozicionin apo autoritetin që u jep detyra e tyre. Duhet të ketë një ndarje të qartë mes funksionit si punonjës policie dhe aktivitetit privat, në mënyrë që të mos krijohen konflikte interesi dhe, mbi të gjitha, të mos cenohet besimi i qytetarëve te Policia e Shtetit.”, tha Arben Hajdarmataj, ish-drejtues i Policisë.

Vetëm gjatë vitit të shkuar, në vend pati mbi 38 mijë ngjarje kriminale, rreth 5 mijë e 500 më tepër se në vitin 2024.  Këto statistika e pozicionojnë Shqipërinë në hartën e “top 10 shteteve me shkallën më të lartë të kriminalitetit në Europë”.

 “Kriminaliteti te ne, përtej shifrave zyrtare, është relativisht i lartë dhe kjo nuk duhet parë vetëm si një problem statistikor. Çdo ngjarje kriminale ndikon edhe në perceptimin që krijohet për vendin tonë. Sidomos për një vend që synon të zhvillojë turizmin, siguria është një element shumë i rëndësishëm. Nëse të huajt krijojnë perceptimin se Shqipëria është një vend i pasigurt, kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në imazhin dhe reputacionin e vendit.”, tha Arben Hajdarmataj, ish-drejtues i Policisë.

Me statistikat zyrtare që Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme raportojnë në ulje ndër vite ,Shqipëria vijon të ketë një numër të lartë të vrasjeve me dashje, të cilat ranë në 40 raste vitin e shkuar, por u rritën me 6 raste krahasuar me vitin 2023.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos