Vritet djali i ish-gjyqtarit, pistat kryesore të hetimit

Nga Xhensila Kodra
19 Nëntor 2024, 15:21 | Kronikë

Tirana tronditet sërish nga një tjetër atentat mafioz ku shënjestër ishte 27-vjeçari Klaudio Prendi, djali i ish gjyqtarit, Fran Prendi. Ngjarja ndodhi pak minuta pas mesnatës të së hënës, në rrugën “Xhanfize Keko”, raporton A2 CNN. Autorët e qëlluan 27-vjeçarin nga brenda mjetit me 5 plumba në kokë e në kraharor.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë është zbuluar se makina e autorëve ka qenë duke zbritur nga rruga e Freskut dhe ka parkuar pak metra larg lokalit ku ndodhej Klaudio Prendi. Pasi kryen vrasjen, autorët janë larguar drejt qendrës dhe 30 minuta më pas dogjën mjetin tip Audi në afërsi të liqenit të Farkës. Brenda mjetit nuk është gjetur arma e zjarrit. Targa e makinës ishte greke dhe e mbivendosur, ndërsa numri i shasisë nuk është mundur të përfitohet pasi është dëmtuar nga zjarri.

27-vjeçari Klaudio Prendi është një emër i njohur për policinë pasi më 6 maj të vitit 2023 ai ka qëlluar me armë në qytetin e Pukës dhe kohët e fundit kishte pasur disa konflikte me persona të tjerë. Menjëherë pas ngjarjes, policia shoqëroi për të marrë në pyetje disa nga personat me të cilët Prendi ka pasur konflikte. Por pasi u morën në pyetje, ata u lanë sërish të lirë.

Viktima ishte djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, i cili ka ushtruar detyrën në ish Gjykatën e Krimeve të Rënda deri në vitin 2016, detyrë që e vijoi për një vit edhe në Gjykatën e Posaçme. Në nëntor 2020 ai u largua nga sistemi i drejtësisë me dorëheqje, pa kaluar në filtrat e vetingut. Ai ka gjykuar disa dosje të personazheve të botës krimit.

Si pistë kryesore për vrasjen e 27-vjeçarit, policia ka atë të konflikteve që i riu ka pasur së fundmi, ndërsa janë duke verifikuar edhe punën e të atit si gjyqtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos