Meta kërkon sërish lirinë, kërkesa shqyrtohet të premten nga gjyqtarja Irena Gjoka

Nga Armand Bajrami
17 Shtator 2025, 08:58 | Kronikë

Meta kërkon sërish lirinë, kërkesa shqyrtohet të

Ilir Meta ka bërë një kërkesë për lirim para gjyqtares Irena Gjoka. Te Gjoka, gjyqtare paraprake e çështjes ndaj tij, Meta kërkon shfuqizim të masës "arrest në burg". Kjo kërkesë do të shqyrtohet të premten në Gjykatën e Posaçme, raporton A2 CNN.

Më 8 shtator, ish-presidenti i Republikës, i pandehur për tre vepra penale, regjistroi një tjetër betejë të dështuar në luftën e tij për t’u liruar nga burgu. Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e ish-presidentit për të zëvendësuar me një masë më të butë masën “arrest në burg”, që e vuan prej tetorit të vitit të kaluar.

Në Apel, Meta kundërshtoi vendimin e 13 gushtit të Shkallës së Parë, që e la të izoluar në paraburgim, por nuk mundi të bindë gjyqtaren Igerta Hysi për ta ndryshuar atë. Ish-presidenti i akuzuar për “korrupsion”, “pastrim të parave” dhe “fshehje të pasurisë”, zgjodhi të mos jetë i pranishëm në seancë.

Përmes avokatit ai cili kërkoi liri, me pretendimin se nuk ekzistonte asnjë kusht ligjor për vazhdimin e “arrestit në burg”.

Teksa Ilir Meta ndodhet në muajin e 11-të të paraburgimit dosja ndaj tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe tre të tjerëve ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak.

Javën e kaluar përzgjedhja e gjyqtares Irena Gjoka për shqyrtimin paraprak ngjalli reagim të fortë të zyrtarëve të Partisë së Lirisë, që kërkuan largimin urgjent të saj. Ndërsa avokati Cakrani tha se ende nuk e kishte vendosur nëse do të kërkohej apo jo përjashtimi i Gjokës nga procesi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos