Zjarri në Dukat të Vlorës drejt normalizimit, por ‘lind’ një tjetër vatër në Delvinë

Nga A2 CNN
25 Korrik 2025, 11:07 | Kronikë

Zjarri në Dukat të Vlorës drejt normalizimit, por

Situata nga zjarri në malin "Shën Gjergji" në Dukat të Vlorës mëngjesin e kësaj të premteje po shkon drejt normalizimit.

Sipas informacioneve nga terreni bëhet me dije se vatra e zjarrit në majën e malit të Dukatit që rrezikonte parkun kombëtar të Llogorasë, është minimizuar ndjeshëm ndërsa në varësi të kushteve atmosferike kjo vatër pritet të shuhet totalisht këtë të premte.

Ndërkohë në shpatin e malit të Dukatit vijon një tjetër vatër aktive zjarri, e cila sipas zjarrfikëses së Vlorës është e menaxhueshme, shkruan A2 CNN.

Sipas informacioneve, për shkak se situata po shkon drejt përmirësimit, aty është ndalur operacioni nga ajri ku janë larguar dy helikopterët Couger, që kanë vepruar prej 6 ditësh në Dukat.

Gjithashtu janë larguar edhe forcat e armatosura për të vepruar në një tjetër vatër zjarri në rang qarku, atë në Delvinë, shkruan A2 CNN.

Në shpatin e malit Dukat për të shuar vatrën e zjarrit po operojnë zjarrfikësit e Vlorës dhe shtabi emergjencave civile.

Ndërkohë ka nisur edhe monitorimi, pasi në varësi të erës mund të ketë rrezik për riaktivizim të zjarrit. Theksojmë këtu që kjo është dita e 7-ë që vazhdon zjarri në Dukat pas riaktivizimit.

Dukati u dogj edhe pak ditë më parë prej 10 ditësh, por flakët u shuan për të nisur sërish për një tjetër javë kritike në luftë me flakët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos