Vijojnë zjarret në Dishnicë të Korçës, 87 forca në terren, ndërhyrja e mjeteve zjarrfikëse e vështirë

Nga A2 CNN
25 Korrik 2025, 10:03 | Kronikë

Vijojnë zjarret në Dishnicë të Korçës, 87 forca

Prej disa ditësh, fshati Dishnicë në njësinë administrative Bulgarec, Bashkia Korçë, po përballet me një situatë të rënduar nga vatrat e zjarrit që vijojnë të jenë aktive. Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me pyje dhe shkurre, duke shkaktuar dëme serioze në mjedis.

Ndërhyrja për izolimin e vatrave është përballur me vështirësi të mëdha për shkak të terrenit të thyer malor, që pengon hyrjen e mjeteve zjarrfikëse në zonat më të përfshira nga flakët. Pavarësisht kësaj, operacioni në terren po vijon me angazhim maksimal, shkruan A2 CNN.

Në ndihmë janë vënë 87 forca në total, nga të cilat 45 janë efektivë të Forcave të Armatosura. Janë përdorur gjithashtu 9 mjete të ndryshme zjarrfikëse dhe ndihmëse, ndërsa strukturat e emergjencës po koordinojnë veprimet për të frenuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Temperaturat e larta dhe era e fortë kanë ndikuar negativisht në përpjekjet për izolimin e flakëve. Autoritetet vendore kanë kërkuar shtim të forcave në terren dhe vijojnë monitorimin nga afër të situatës, për të shmangur vatrat e perhapen me tej. Burime për A2 CNN bëjnë me dije se janë djegur siperfaqe të mëdha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos