Zjarri në Himarë, 6 banesa të djegura, 30 banorë të evakuuar

Nga Armend Pire
5 Shtator 2026, 14:06 | Kronikë

Këto janë pasojat e para të zjarrit që preku qytetin e Himarës.

Zjarri që nisi mbrëmjen e së premtes ishte i përmasave të mëdha. Flakët pushtuan kodrat e qytetit teksa pamjet apokaliptike shiheshin ngado. Banorët me lot në sy tregojnë momentet e vështira që përjetuan.

Të shqetësuar për situatën e krijuar ishin edhe turistët, të cilët këtë fillim shtatori po pushojnë në plazhet e Himarës.

“Dje ishte vërtet shumë e frikshme. Në një moment mendova: ‘Si do të largohemi nga këtu?’. U përpoqa të kontaktoja taksitë, por më thanë se rrugët ishin të bllokuara dhe nuk mund të vinin të na merrnin. Aty u frikësova shumë, sot ndihem e sigurt, sepse kam folur me stafin e hotelit. Tani situata duket më e mirë, pasi nuk i shohim më flakët”, thonë turistet.

“Ishte vërtet e frikshme. Shumë nga personat që qëndronin në hostelin tonë ishin nga Australia dhe, duke qenë se kishin parë situata të tilla edhe më parë, na thanë se duhej të largoheshim. Më trishton fakti që ndodhin ngjarje të tilla dhe që zjarret shkatërrojnë natyrën. Megjithatë, këtu është shumë bukur. Kemi kaluar shumë mirë dhe kjo është dita jonë e tretë”, thotë një tjetër.

Autoritetet flasin për një situatë të përmirësuar, por rreziku ende nuk ka kaluar duke u kërkuar qytetarëvetë ndjekin udhëzimet e ekipeve të ndërhyrjes.

Ndërkohë autoritetet bëjnë me dije se një çoban është shoqëruar në komisariatin e Vlorës, i cili dyshohet se i ka vendosur zjarre në ByPassin e qytetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos