Sipas grupit hetimor zjarri i rënë në pallatin 12-katësh pranë “Farmacisë 10” në kryeqytet, dyshohet të ketë qenë pasojë e pakujdesisë, ndërsa në fokus të hetimeve janë disa të mitur.
Sipas burimeve nga Policia, nga hetimet e deritanishme rezulton se flakët kanë nisur pranë disa kartonave të vendosur jashtë një marketi në katin zero të godinës, ku dyshohet se kanë qenë të pranishëm disa të mitur, shkruan A2 CNN.
Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimit, nuk ka ende prova konkrete që të vërtetojnë këtë version. Policia nuk disponon pamje filmike që të fiksojnë momentin e parë të rënies së zjarrit apo që të duket momenti nëse të miturit vendosin zjarrin, ndërsa grupi hetimor është mbështetur kryesisht në dëshmitë e banorëve dhe dëshmitarëve okularë, të cilët kanë deklaruar se në zonë janë parë disa të mitur në momentet e para.
Ndërkohë, në vijim të veprimeve, policia të mërkurën arrestoi katër persona dhe vendosi nën hetim edhe katër të tjerë, lidhur me shkelje të rregullave të sigurisë dhe përgjegjësitë për ngjarjen. Nga verifikimet e fundit të kryera në terren rezulton se zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme, duke prekur në total rreth 70 apartamente në këtë pallat 12-katësh. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë e kësaj ngjarjeje. (A2 Televizion)