
Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me zjarrin e madh që shkatërroi mbi 100 magazina në tregun e ish-Uzinës Dinamo në kryeqytet. Sipas saj, zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije elektrike, aksidentale.
“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka pasur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, tha policia.
Dy kapanonet e djegura përfshijnë mbi 100 magazina, me një sipërfaqe totale prej 11 mijë metrash katrorë, ku tashmë kanë mbetur vetëm mbetjet e strukturave të shkatërruara.
Të gjithë tregtarët, objektet e të cilëve u dogjën, i kishin ato me qira. Ngjarjen e bën edhe më të rëndë fakti që subjektet nuk janë të siguruara, pasi nuk plotësojnë kushtet e nevojshme të sigurisë, për shkak se janë ndërtuar në kapanone. Për këtë arsye, tregtarët nuk mund të përfitojnë dëmshpërblim, edhe pse dëmi i pësuar është kolosal, ndërsa vlera totale e tij arrin deri në 50 milionë euro. (A2 Televizion)