“15 ditë prilli”, është titulli i dramës së re që do të vijë premierë në skenën e teatrit “Aleksandër Mosiu” në Durrës.
Grupi i aktorëve është mbledhur për herë të parë në një takim të konceptuar: Çaj të teatër-nisja e provave për premierën e re.
Kjo pjesë vjen me regji të Driada Dervishit dhe bazohet në romanin me të njëjtin titull “15 ditë prilli”, me autore Anisa Markarian. Regjisorja Dervishi tha se ky është rasti i parë që po dramatizojmë një roman të një autoreje shqiptare në historinë 71-vjeçare të teatrit.
Drama trajton problematikat e një sistemi totalitar dhe gjithçka trajtohet në 15 ditë prilli. Autorja e romanit u shpreh se “ndonëse jam vajzë Durrësi, jam shumë e emocionuar, pasi kemi të bëjmë me një grup aktorësh shumë të njohur që do të interpretojnë në këtë pjesë”.
Duke folur për librin, ajo tha se ai përmban trysninë dramatike që në zanafillën e tij, trysnia 15-ditëshe e një regjimi dhe pasiguria e një populli se çfarë e pret pas kësaj.
Aktoria Yllka Mujo tha se ndihet e nderuar që do të interpretojë në një dramë të shkruar nga Anisa Markarian duke shtuar se me trupën e teatrit në Durrës ka pasur bashkëpunim të shkëlqyer.
Drama është konceptuar pa role kryesore dhe në të do të interpretojnë aktorë të njohur të skenës shqiptare si dhe të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” si, Yllka Mujo, Sanije Hoti, Gjergj Doçi, Mimoza Marjanaku, Amos Zaharia, Suela Bako, Aleks Seitaj dhe Alesia Xhemalaj. (A2 Televizion)