Ish-politikani dhe shkrimtari Ben Blushi është shprehur se në Tiranë, në një teqe të vjetër, ndodhet qimja e Profetit Muhamed.
Komentet Blushi i bëri në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku zbuloi detaje nga libri i tij i ri, i titulluar ‘Parajsa Artificiale’.
Blushi tha se fakti që qimja e Profetit Muhamed ndodhet në Tiranë, në librin e tij është ndërthurur me një sajesë ku thuhet se kjo gjë mund të fusë në luftë Shqipërinë me Iranin.
“Është një teqe e vjetër e familjes Harasani, ngjitur me shkollën Sami Frashëri. I zoti i shtëpisë që është një burr shumë i ditur, tani ai mban teqenë e trashërguar nga familja prej 400 vitesh, më ka thënë ‘unë mbaj në shtëpi qimen e Profetit Muhamed’. Pra deri këtu është e vërtetë, është fakt real. Tani ne e marrim këtë fakt në libër, Simon Shuter e përdor këtë për të sajuar një luftë mes Shqipërisë dhe Iranit.
Pra të fusë në luftë Iranin me Shqipërinë. Ti e di besoj se kush është ndarja më e madhe në Islam, Shiit dhe Sunit. Irani është i gjithi Shiit, ndërsa vendet e tjera arabe, Sunite. Kta kanë një konflikt dhe konflikti ka nisur kur vdiq Muhamedi, në vitin 632. Debati ishte se kush do e trashëgonte Kalifatin, e bija apo nusja e Muhamedit, e vogla, Aishja. E bija vendosi që pushtetin ta merrte krahu i saj me të atin, këta ishin Sunitë. Pjesa tjetër, e bija me dhëndrin e Muhamedit ishin Shiitë.
Këto dy ndarje nuk u pajtuan kurrë. Ata u ndanë e u vranë. Ata u zunë sepse Muhamedi nuk e caktoi para vdekjes së kush duhet të drejtonte. Ai ishte liberal. Simon Shuter (në libër) thoshte se nëse Irani merr vesh se qimja e Muhamedit ka ardhur në Tiranë, përmes persëve të ardhur këtu në vitin 1600, ata mund të provojnë se kanë spektrin e Muhamedit dhe Irani do të na pushtojë të marrë qimen”, tha Blushi. (A2 Televizion)