37-vjetori i Lasgush Poradecit, kërkohet ende një shtëpi muze

Nga Artin Halili
12 Nëntor 2024, 20:10 | Kulturë

37-vjetori i Lasgush Poradecit, kërkohet ende një shtëpi muze

Korifeu i letrave dhe liriku poradecar, Lasgush Poradeci, ende nuk ka shtëpinë muze për vizitorët.

Më 12 Nëntor 1987 Lasgushi do të largohej fizikisht, por pas la një pasuri të madhe letrare. Por, ende poeti i liqerit nuk ka një shtëpinë muze, ambient ku për turistët e vizitorët do të ekspozohej gjithçka e tij, që nga vendi ku ka jetuar e deri tek sendet personale.

Ish-drejtuesi i Qendrës Kulturore në Pogradec, Budjon Xhelo, e cilëson flagrante mungesën e një shtëpie muze pas kaq vitesh, shkruan A2 CNN.

"Është një turp i madh për gjithë qytetarët e Pogradecit, por edhe me gjerë, Ministrinë e Kulturës, që ende nuk kemi shtëpinë e poetit kombëtar Lasgush Poradeci. Është një mallkim komunist, kam 50 vite në këtë qytet, e kam njohur Lasgushin të gjallë, e kam nderuar të vdekur. Duhet ndërtuar shtëpia e Lasgushit, duhet rindërtuar nga themelet, jo si sot. E hapur për të gjithë, ku ka gjë më të mirë. Poeti që i këndoi atdhedashurisë është lënë pa shtëpi, a ka më turp?", thotë Xhelo.

Për nënkryetarin e Bashkisë Pogradec, ky premtim do të jetësohet me investimet që do të marrin lagjet historike të këtij qyteti, investimi sipas tij nis brenda vitit dhe aty janë projektuar shtëpitë muze të Lasgushit e Mitrushit: "Nuk e quaj premtim të pambajtur, ka qenë një nga projektet që Bashkia Pogradec ta bëjë sa më parë. Ajo është godinë private e dikujt tjetër, jo pronë publike apo e familjes së poetit. Në bashkëpunim me institutin e monumenteve është financuar projekti për rikonstruksionin e dy lagjeve. Brenda këtij viti fillon puna për rehabilitimin. Edhe shtëpia e Lasgush Poradecit përfshihet. Në bashkëpunim me pronarët ekzistues do transformohet për turistët vendas e të huaj".

Sot, në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Lasgush Poradecit mungesa muzeut jetëson vargjet:

Me zjarr ju flas… me zjarr
Në gjirin tim kam hapur varr…
Që t’i jap shpresë- edhe t’ja marr… (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos