Tranzicioni hodhi jo pak baltë mbi njerëzit e thjeshtë. Një shi simbolik për të larë gjithë padrejtësitë është metafora poetike që zgjedh Mero Baze për të pastruar këtë baltosje.
“Simbolika është gjithë kjo balta e pas ’90 mbi njerëzit me vlera, mbi çdo gjë të shoqërisë, në mohimin e gjithçkaje që kemi bërë me këtë vend. Është një nga dramat e shoqërisë dhe e përfaqëson librin. Nuk janë poezi të prodhuara nga meditimi. Ky libër është shkruar në kohë të ndryshme jo për t’u botuar, thjesht si pjesë e pasionit tim”, u shpreh Mero Baze, shkruan A2 CNN.
Herë kritik e herë pasionant, Mero Bazen e lexojmë me të gjitha metamorfozat e shoqërisë shqiptare në këto poezi. Sepse vëllimi poetik “Shi me baltë” nuk shpëlan vetëm vragat e padrejtësive që i gjen në ciklin e tretë të poezive, por edhe mallin për vendlindjen në ciklin e parë apo poezitë e dashurisë në ciklin e katërt dhe të fundit të këtij vëllimi poetik.
Poeti Ilirian Zhupa thekson: “Tek ky libër është Mero Baze që nuk e keni njohur, pasi rreth 40 vjet e keni parë vetëm nga jashtë dhe jo nga brenda. Keni parë vetëm guackën mbrojtëse të tij dhe tuajën, por jo thelbin, jo Mero Bazen e “paarmatosur”, atë realin, të ndjeshmin, të prekshmin, të dhimbsurin, të trishtin, humanin”.
Gjendur si publicist që shfaq poezinë që ka jetuar gjithnjë me të, autori thotë se gjuha poetike e ka shpëtuar edhe gjuhën e publicistit me të cilën brezat e rinj e njohin.
Libri vjen vetëm dy ditë përpara çeljes së ngjarjes më të rëndësishme për librin, panairin e përvitshëm që këtë vit shënjon edicionin e 27-të, nga data 13 e deri më 17 nëntor. (A2 Televizion)