80 vjet histori arti, kur artistët bëhen bashkë për të rrëfyer në tablo

Nga Elitjona Doko
27 Prill 2025, 16:27 | Kulturë

Në një simbiozë të pakohë u bënë bashkë në një ekspozitë veprat e të mëdhenjve të artit pamor në Durrës, si Sabri Tuçi, Agim Kavaja, Zef Ujka, Gravril Priftuli, Skënder Kokobobo, Dhimitër Arrallambi dhe shumë nxënësve të tyre që vijojnë traditën e bukur artistike të atyre, që u mësuan ABC-në e artit.

Nisma u konkretizua në ambientet e galerisë tashmë të rikonstruktuar “Nikolet Vasia”, ku artdashësit mund të admirojnë ende tablotë dhe skulpturat e artistëve durrsakë të 3 epokave të ndryshme, në ekspozitën e titulluar “Pranverë”, shkruan A2. 

Mes morisë së natyrave të qeta, peizazheve, kompozimeve, portreteve e skulpturave të ndryshme, artdashësit përshkojnë në mënyrë figurative rrugëtimin e artit pamor durrsak, që nga periudha para realizimit socialist, e deri në ditët tona. 

Nga data 25 prill e deri më 19 maj, artdashësit durrsakë, por edhe turistët e huaj, do të mund të admirojnë në galerinë e qytetit disa nga veprat më të mira të artit pamor të 80 viteve të fundit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos