Në 85-vjetorin e ndarjes nga jeta të At Gjergj Fishtës, prifti françeskan At Vitor Dema ka apeluar për një njohje dhe rivlerësim më objektiv të një prej figurave kryesore jo vetëm të klerit, por edhe të letërsisë, diplomacisë dhe përpjekjeve të tij për konsolidimin e Shqipërisë.
Sipas At Vitor Demës, të rilexosh Fishtën shërben për ta dashur më shumë Shqipërinë, por nevojitet që lexuesit të shkojnë tek Fishta.
Edhe sa i takon përpjekjeve të Fishtës në arenën ndërkombëtare deri tek përpjekjet për vendosjen e marëdhënieve diplomatike me SHBA, sipas at Vitor Demës dihet shumë pak dhe për këtë arsye, po përgatitet një vëllim me letra të pabotuara të Fishtës.
85 vite pas ndarjes nga jeta, At Gjergj Fishta mbetet një nga figurat më të mëdha të klerit, mendimit, letërsisë shqiptare, diplomacisë dhe atdhedashurisë. Përkujtimi i tij shërben jo vetëm si nderim, por edhe si thirrje për ta njohur, lexuar dhe kuptuar Fishtën ashtu siç është, si pjesë e pandashme e identitetit kulturor dhe europian të kombit shqiptar. (A2 Televizion)