Kulla e Turanit në Korçë po përballet me rrezikun e shembjes totale. Kulla, monument i kulturës i kategorisë së parë dhe një nga ndërtimet më të rralla të këtij lloji në juglindje të vendit, e cila përfaqëson vlera historike dhe arkitektonike, sot ndodhet në një gjendje alarmante degradimi.
E ndërtuar në shekullin XVIII si një objekt mbrojtjeje, Kulla e Turanit, rreth 15 metra e lartë, me formë katrore, pa dritare dhe me vetëm një dhomë në çdo kat, është një shembull i rrallë i arkitekturës së fortifikuar.
Prej vitit 2014, kulla ka nisur të degradojë me çarjet në mure, rënia e pjesshme e çatisë ,por dëmtimet strukturore kanë përkeqësuar situatën, duke e kthyer monumentin në një rrezik edhe për banorët e zonës.
Kryeplaku i fshatit Turan, Ilir Skënderasi, shprehet se shqetësimi është ngritur prej vitesh pranë institucioneve përgjegjëse, por pa rezultat konkret.
“Prej vitesh ka nisur degradimi. Fillimisht u hapën muret, më pas ra çatia. Kemi njoftuar njësinë administrative, institucionet e kulturës dhe ministrinë. Sot gjendja është shumë e rëndë. Është monument kulture i shekullit XVIII dhe po shembet dita-ditës. Nëse nuk ndërhyhet, rrezikon të bjerë plotësisht. Ndodhet brenda oborrit të një familjeje dhe përbën rrezik për jetën e banorëve. Është për të ardhur keq, sepse është një monument unik. Turistët vijnë ta shohin, por çfarë do të shohin nesër, rrënoja?”
Ndërsa Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës konfirmon se ekziston një projekt për restaurimin e kullës, por sipas saj mungesa e fondeve ka bërë të pamundur ndërhyrjen duke e lënë në harrë këtë monument të trashëgimisë kulturore. (A2 Televizion)