Artistët grekë në Tiranë, kur muzika jep mesazhe të bukura për dy vende fqinje

Nga Luela Myftari
2 Shtator 2024, 17:07 | Kulturë

Pas koncertit të tij të parë në Korçë, e më pas me një koncert “one night only” në Pallatin e Kongreseve, artisti grek Kostandinos Argiros u rikthye edhe për një koncert të tretë në kalanë e Gjirokastrës.

Këtë verë është në turin e tij artistik e para se të performonte në “Albert Hall” në Londër, ndalon në Shqipëri. Edhe këtë herë ka ardhur me mesazhin se muzika ka një gjuhë universale. Kështu ka bërë arti gjithnjë, ka bashkuar duart mendon ai, citon A2.

“Jam i lumtur që vij sërish në Tiranë. Është nder të këndoj për shqiptarët. Sa herë vij, çdo natë është ndryshe dhe është fantastike. Ndjej se njerëzit këtu më duan, e duan muzikën time dhe i njohin këngët e mia. Unë e përshtas programin e koncertit me njerëzit dhe me energjinë që më japin. Publiku në Shqipëri është ndër më të mirët në botë”, tha Argiros.

Argiros dha përshtypjet e tij edhe sa i takon publikut shqiptar dhe kënaqësisë që merr në koncertet e mbajtura në Tiranë.

“Muzika shqiptare meqenëse e kam studiuar, ka pjesë të veçanta në ritmet e saj që mund të përshtaten me muzika të reja.  Ka shumë artistë shqiptarë që kanë karrierë të mirë këtu dhe jashtë vendit. Muzika i bashkon popujt, kështu që në të ardhmen do të doja shumë të kisha bashkëpunime me artistët shqiptarë që unë I adhuroj sepse kanë karrierë shumë të mirë”, nënvizoi Argiros, shkruan A2.

Gjatë koncertit në “Selman Stermasi”, publiku këndoi bashkë me të, duke treguar  se muzika i bashkon popujt.

Por, kjo nuk është hera e parë që një artist grek përcjell mesazhe të bukura përmes skenës dhe muzikës që bën. kështu ka ndodhur më herët edhe me Antonis Remos, një tjetër artist grek që interpretoi në Tiranë.

“Dua t’ju them pak fjalë që burojnë nga zemra ime. Në vitet 1995-96 unë hodha hapat e para në karrierën time si këngëtar. Në vitet ’90 filluat të vinit dhe ju në Greqi. Kaluan shumë vite që atëherë, u rritët, krijuat familjet tuaja, fëmijë, u rritën edhe ata fëmijë. U rritëm dhe ne bashkë.

Ajo që dua të them nga zemra janë vetëm dy fjalë: Faleminderit shumë! Kërkoj falje! Faleminderit se ndihmuat vërtet Greqinë tonë, në momentet që kishte nevojë. Dhe një “Më fal” se Greqia shumë herë, jo të gjithë, por disa herë Greqia ju lëndoi!

Dhe ndjej se ju u lënduat, ashtu siç jam ndjerë dhe unë si fëmijë emigrantësh në Gjermani. U linda në Gjermani, e di çfarë do të thotë të jesh fëmijë emigrantësh në një vend të huaj.

Kështu, thellë nga zemra ime, me shumë dashuri e respekt, ju them këto dy shprehje. Sepse duke ardhur këtu, pashë një vend që tashmë ka hapur krahët e fluturon vërtet shumë lartë në hapësirën qiellore, me kaq arritje e ndryshime të bukura. Unë pashë një qytet kaq të bukur, Tirana është vërtet një qytet mrekulli.”

Edhe një herë tjetër muzika tregoi, se përtej zhvillimeve politike apo çështjeve të lëna pezull mes dy vendeve, ajo, muzika, arti përcjell mesazhe e ndjesi të bukura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos