Ishte viti 1961, kur Dhimitër Anagnosti realizoi filmin e tij të parë. "Njeriu që kurrë nuk vdes" ishte titulli me të cilin nisi rrugëtimin drejt magjisë së kinemasë, por me përkushtimin e një artisti që, përmes veprës, bëhet njeriu që nuk vdes kurrë.
Kështu, i paharruar është për miqtë, kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij, po aq sa edhe për shumë shqiptarë që janë rritur me veprat “14 vjeç dhëndër”, “Në shtëpinë tonë” apo “Lulëkuqet mbi mure”.
Timo Flloko dhe aktorë të shumtë, si edhe figura politike, e kanë nderuar artistin e madh, i cili, përtej shumë çmimeve, ka fituar duartrokitjen e gjatë të kinemasë shqiptare.
“Ato vargje të Nolit, ai pasion, ai ligjërim, ai shpërthim, i takojnë atij sot, si një homazh final. Ai është përherë këtu mes nesh, është një korife i artit shqiptar dhe do të mbetet i paharruar ngahera”, tha i emocionuar aktori Timo Flloko, teksa i dha lamtumirën e fundit. “Kam qenë me fat që kam qenë mikja e tij. Gjithkush duhet të di një gjë, që në atë botën e vërtetë, duhet të shkosh me dinjitet”, tha aktorja Marjana Kondi.
Me dinjitet, Dhimitër Anagnosti ia doli të shënojë me germa të arta emrin e tij në historinë e artit shqiptar, sepse pas la 14 filma artistikë me metrazh të gjatë, dhjetëra dokumentarë, skenarë, libra dhe, pa dyshim, një brez artistësh që Dhimitër Anagnostin e kishin model në rrugën artistike. (A2 Televizion)