Lamtumirë Margarita Xhepa! Shuhet një margaritar i skenës teatrale dhe kinematografisë

Nga Luela Myftari
3 Prill 2025, 16:26 | Kulturë

Ndahet nga jeta Margarita Xhepa, një nga figurat më të shquara te teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Aktorja Margarita Xhepa u shua në moshën 91-vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e mushkërive. Në karrierën e saj numëron më shumë se 150 role në teatër dhe 32 në kinematografi.

Një margaritar i skenës teatrale dhe kinematografisë shqiptare largohet nga jeta. Por, thesari që lë pas në kulturë Margarita Xhepa është një pasuri kombëtare që e bën këtë zonjë të madhe të artit, një margaritar të kulturës.

E bukur, e hijshme, e kujdesshme, modeste dhe një mbështetje e jashtëzakonshme edhe për brezat e rinj të aktorëve. Kështu përshkruhet Margarita Xhepa, nga bashkëpunëtorët e saj në këto 5 dekada karrierë, por po aq edhe nga artistët e rinj, sot që largohet vetëm fizikisht nga kjo jetë.

Vitin e shkuar më dy prill miqtë e dashamirësit festuan bashkë me të 90-vjetorin e lindjes, duke duartrokitur artisten e madhe Margarita Xhepa për interpretimet e saj të shkëlqyera në skenën teatrale, më shumë se 150 të tilla, po aq sa edhe karakteret që shënjon në kinematografi, ku emri i saj shënohet me shkronja të arta në 32 filma.

Vitet e fundit aktorja ka qenë e pranishme në ngjarje të rëndësishme kulturore në vend, e si aktore, por po aq sa edhe si qytetare nuk harronte mesazhe që e bënin shoqërinë më të mirë.

Artistja Margarita Xhepa do të nderohet më 4 prill me homazhet që mbahen nga ora 10.00 deri në 13.00 në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. E ndonëse pas mesditës do të përcillet me duartrokitje për në banesën e fundit, Margarita Xhepa do të mbetet margaritari që do të çojë në këmbë edhe për shumë kohë gjithë publikun në teatër, por edhe në salla kinemaje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos