Ndarja nga jeta e ikonës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare, mbahen sot homazhet në nder të aktores Margarita Xhepa

Nga A2 CNN
4 Prill 2025, 09:25 | Kulturë

Ndarja nga jeta e ikonës së teatrit dhe kinematografisë

Ditë e sotme mbahen homazhet në nder të ikonës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, e cila u nda nga jeta ditën e djeshme.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka njoftuar se homazhet do të mbahen në orën 10:00 deri në orën 13:00, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

“Pas komunikimeve me familjen e së ndjerës, aktores së madhe Margarita Xhepa, njofton se homazhet do të mbahen nesër më datë 4 prill në orën 10:00-13:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Kush është Margarita Xhepa?

Aktorja u lind më 2 prill të vitit 1934, në qytetin e Lushnjës, prej ku nisi edhe hapat e parë drejt karrierës së saj. Gjatë karrierës së saj, aktorja e madhe Margarita Xhepa ka krijuar mbi 150 role në teatër.

Veç suksesit me veprat e shumta të dramaturgëve shqiptarë, Margarita Xhepa ka korrur sukses edhe në rolet e dramaturgjisë botërore si, Ofelia tek “Hamleti”, vajza e dytë tek “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, etj.

Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” (regjisor J. Koras, K. Vupuras). Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.

Në vitin 2007 iu dha “Çmimi i Karrierës” për rolin e Nadjezhnës në monodramën “Kënga e mjellmës” së Çehovit, shkruan A2 CNN.

Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë. Me K. Dhamon xhiron “Vitet e para” dhe “Gjurmët”, me I. Muçajn e K. Mitron “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë” dhe “Apasionata”, me Viktor Gjikën, “Gjeneral gramafoni”, me E. Musliun, “Rrethi i kujtesës” dhe “Vitet e pritjes” (E. Musliu), me Kujtim Çashkun, “Dora e ngrohtë”, me Dhimitër Anagnostin, “Gurët e shtëpisë sime”, me P. Milkanin, “Pranvera s’erdhi vetëm”, me S. Kumbaron, “Koncert në vitin 1936”, me Gj. Xhuvanian “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.

Në maj 2004 u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar, për të shkëlqyer në dramën “Streha e të harruarve”, një tjetër sukses në karrierën e saj 50-vjeçare. Krahas teatrit, Xhepa është shfaqur në ekranin e filmit me një galeri të larmishme prej 31 rolesh.

Xhepës i janë akorduar gjithashtu edhe titujt “Artiste e Popullit”, “Nderi i Kombit”, dhe Urdhri i Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos