Pas Eljan Taninit në krye të ASHQF-së, emërohet edhe drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë

Nga A2 CNN
12 Korrik 2025, 12:59 | Kulturë

Pas Eljan Taninit në krye të ASHQF-së, emërohet edhe

Me vendim të qeverisë, Jonid Jorgji është emëruar Kryetar i ri i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Lajmin e ka bërë të ditur në rrjetet sociale Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili ka vlerësuar Jorgjin në fushën e filmit dhe industrive kreative.

“Kombinimi i përvojës menaxheriale, sjell në këtë rol një vizion të qartë për të forcuar skenën filmike shqiptare, për të mbështetur prodhimet vendase dhe për ta çuar më tej bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kinematografisë dhe industrive kreative. Ky emërim vjen në një moment të rëndësishëm për zhvillimin e industrisë kreative në vend, në kuadër të procesit gjithëpërfshirës të nisur nga MEKI për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Ekonominë Kreative, në bashkëpunim me aktorë kombëtarë e ndërkombëtarë. Në fokus të këtij procesi janë rishikimi i kuadrit ligjor për sektorin kinematografik dhe audiovizual, rritja e mbështetjes publike për krijimtarinë vendase, krijimi i mekanizmave lehtësues për zhvillimin e tregut dhe nxitjen e investimeve në fushën e prodhimit audiovizual”, shkruan Gonxhe.

Jonid Jorgji ka ndjekur studime në fushën e Filmit dhe ka mbi një dekadë përvojë në media, kinema dhe menaxhim kulturor. Prej vitit 2009, është President i Shoqatës së Kineastëve të Rinj Shqiptarë. Në vitin 2016 themeloi EJF Production, një kompani prodhimi audioviziv që ka realizuar filma, dokumentarë, reklama dhe projekte multimediale.

Nga viti 2022, Jonidi ka drejtuar Agjencinë e Industrive Kreative pranë Bashkisë së Tiranës, duke mbikëqyrur projekte kyçe si Qendra e Artit Agimi, Kinemaja Maks Velo, Tirana Film Office, MicroFolie Tirana dhe Rezidenca Nomade e Artit.

"Nën drejtimin e tij, këto nisma janë kthyer në pika referimi për zhvillimin e industrive krijuese dhe ekonomisë kulturore në kryeqytet", shkruan ministri.

Pas Eljan Taninit në krye të ASHQF-së, emërohet edhe
Në foto Eljan Tanini

Emërimi i tij në krye të QKK-së pason atë të Eljan Taninin në krye të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, dy ditë më parë, për të cilin ministri nuk kurseu vlerësimet.

“Artist pamor, gazetar dhe autor projektesh që ndërthurin artin me memorien kolektive, Eljan Tanini vjen në krye të AQSHF me një profil të veçantë dhe një angazhim të hershëm në rrëfimin e Shqipërisë përmes historisë, nostalgjisë dhe arkivës vizuale. Nga krijimet murale e instalacionet publike, te kontributet në media dhe ekspozitat brenda e jashtë vendit, Tanini sjell një vizion artistik dhe narrativ që pasuron më tej rolin e këtij institucioni të rëndësishëm kulturor”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos