Të mahnitur pas Shqipërisë, imazhet dhe videot më të bukura të natyrës shqiptare në garë

Nga Luela Myftari
9 Nëntor 2023, 15:45 | Kulturë

Një konkurs për Shqipërinë turistike. Me imazhe dhe reels, video të shkurtra apo prezantuese të Shqipërisë si destinacion. Ministria e turizmit çel garën ndërkombëtare, ku jehona e së bukurës shqiptare kalon edhe përtej kufijve.

“Kemi pritur deri në31 tetor, 8.98 milionë vizitorë, ndërsa vetëm ky tetor pati 89% më shumë vizitorë të huaj se tetori i vitit të shkuar. Vazhdimisht kemi shpërndarë në faqet tona online bukuritë e Shqipërisë të realizuara nga amatorë e profesionistë. Por ka qenë pikërisht ky komunikim dixhital me këta njerëz pasionantë, me këta shqiptarë dhe të huaj që hedhin në rrjetet sociale për kënaqësinë e tyre, emocionet e momentit që i fiksojnë përmes një telefoni apo përmes një aparati”, u shpreh Mirela Kumbaro Ministre e Turizmit dhe Mjedisit.

“Të magjepsur pas Shqipërisë dhe me një dëshirë të fortë për të udhëtuar dhe vizituar çdo cep të saj - pikërisht këtë trend po demonstrojnë veçanërisht këtë vit miliona turistë, që vizituan e vazhdojnë ta bëjnë, vendin tonë. Ky trend na dha idenë e zhvillimit të Konkursit të parë Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels, ku fotografë profesionistë, e vizitorë të apasionuar pas fotografive dhe videove do na përcjellin imazhet e tyre nga Shqipëria, për të zbuluar dhe përjetuar së bashku një udhëtim magjepsës drejt bukurive shqiptare të bregdetit, të maleve, qyteteve, trashëgimisë kulturore e siteve arkeologjike, agrobiznesit, kulinarisë”, thotë Zana Çela drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Nga peizazhi, e deri te monumente apo sitet arkeologjike, nga etnografia e deri te artizanati, nga kulinaria e deri te festivalet apo eventet e kulturës, nga arkitektura e deri te aventurat që mund të ndërmarrim në Shqipëri, të gjitha këto mund të jenë temat ku artistë profesionistë, por edhe turistë që kanë regjistruar kujtimet e tyre në Shqipërinë turistike mund të lëvrojnë.

Gara do të jetë e hapur nga data 20 nëntor për tëshpallur më tej fituesit në 12dhjetor në një ceremoni ku të gjithë do të mahniten nga potenciali I Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos