Të rinjtë shqiptarë kanë njohuri të cekëta mbi trashëgiminë kulturore jo materiale dhe shpesh e ngatërrojnë atë me muzeun. Kështu u shpreh Blerta Tuci në një lidhje me “Dita jonë” në A2 CNN. Sipas saj ky është përfundimi i një studimi të realizuar nga projekti “Heritage is our Brand”, që përfshiu mbi 1 mijë të rinj nga mosha 16 deri në 33 vjeç në 12 qarqe të vendit dhe në diasporë.
Sipas përfaqësueses së projektit, Blerta Tuci, Tirana ka zënë hapësirën më të madhe në informacion, ndërsa thekson bashkëpunimet me shkolla, qendra rinore dhe bashki.
“Rezultatet tregojnë se njohja më e madhe është për trashëgiminë arkeologjike dhe më pak për artizanatin dhe traditat. Studimi është shtrirë në 12 qarqe dhe kemi tentuar të shkojmë përtej hapësirë territoriale. Hapësirën më të madhe në informacion e zë Tirana. Kemi patur bashkëpunim me shkollat qendrat rinore e bashkitë e qyteteve”. Rezultatet tregojnë se njohja më e madhe është për trashëgiminë arkeologjike dhe më pak për artizanatin dhe traditat,” tha Tuçi në A2 CNN.
Ndryshe nga të rinjtë brenda vendit, ata në diasporë shfaqin një njohje më të thellë dhe dëshirë për të ruajtur zakonet e kulturës, shpesh si pasojë e nevojës për ruajtje të identitetit, thekson ajo.
Një tjetër gjetje pozitive e pyetësorit është roli i familjes, që mbetet institucioni kryesor për transmetimin e trashëgimisë kulturore ndër breza.
“Familja nuk e ka humbur rolin e vet përçues të informacionit historik familjar dhe etnik. Për ne kjo është e rëndësishme që tregon që familja është institucioni kryesor për përcjelljen e trashëgimisë”.
Autorët e studimit rekomandojnë që trashëgimia jo materiale, përfshirë ato elemente të listuara nga UNESCO, të integrohen më gjerësisht në kurrikulat shkollore dhe në aktivitete promovuese për të nxitur ndërgjegjësimin tek të rinjtë.
(A2 Televizion)