“Vëllai më këputi një shkelm dhe dola në skenë”, Mehdi Malkaj rrëfen në “Off the Record” si nisi rrugëtimi i tij artistik

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2025, 10:59 | Kulturë

Rrugëtimi artistik i Mehdi Malkajt nis larg kryeqytetit, në Memaliaj, një qytet i vogël minatorësh që, përveç qymyrit, nxori edhe artistë. Ishte estradën amatore e qytetit ajo që u bë akademia e tij e parë, ndërsa figura përcaktuese e fillimit ishte vëllai i madh, aktor në atë trupë. Një shkelm simbolik nga pas, drejt skenës, do të shënonte momentin zero të jetës së tij artistike.

“Në fillimet e mia ka vlera të mëdha vëllai im i madh, i cili ishte aktor në estradën amatore të qytetit. Ai më dha një tekst për ta mësuar dhe më tha të shkoja në Pallatin e Kulturës”, nis rrëfimin Malkaj, në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN. “Më thoshte “Do hysh tani?". Deri aty shkova mirë, pastaj dridhesha, nuk doja të futesha. Vëllai më këputi një shkelm nga mbrapa, më shtyu. Mënyra se si dola unë në skenë, spektatori u ngrit në këmbë. Që nga ky moment mora veten dhe nuk dola më në nga skena deri tani që bëjmë muhabet bashkë”.

Memaliaji i asaj kohe nuk ishte thjesht një qytet industrial. Ishte një komunitet i lidhur fort, ku arti, humori dhe solidariteti bashkëjetonin me rrezikun e përditshëm të minierës. Aty u formua edhe ndjeshmëria njerëzore e Malkajt, ajo që më vonë do të bëhej themel i roleve të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos