Roli i Xhabraos mbetet një nga më të dashurit dhe më përfaqësuesit në karrierën e Mehdi Malkajt. Një personazh që lindi nga besimi i regjisorit Koço Devole dhe u bë pasaporta e aktorit drejt njohjes masive.
“Dubli i parë zbret nga Benci Vaso (Vasillaq Vangjeli) që luante Enverin. Ishte i shkëlqyer, aktor i shkëlqyer dhe njeri shumë i mirë. Në momentin që më përqafoi mua si shoku Enver, më tha në vesh “Bravo, këtu mbaje rolin”. Dhe kjo mua më qetësoi, më lumturoi deri në fund”, tregon Malkaj në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
“Por kur u shfaq Xha Braho, kur u shfaq “Gjuetia e fundit”, s’kishim makinë, kishim autobusë. Hipi në autobus të nesërmen. Gjithë autobusi ziente për Xha Brahon. Unë isha aty ballë përballë atyre. Asnjëri nuk më njihte. Ia thashë Koços dhe më tha “Do të duhet shumë punë të të njohin”. Nuk e harroj, bëra shumë punë dhe pastaj më lidhën me Xha Brahon. Tani, personazhi i Xha Brahos, kudo që të shkoj, unë për më lehtë thënë “O Xha Braho”. Më ka ndjekur në mënyrë të shkëlqyer nga mbrapa”.
Edhe sot, Malkaj beson se Xha Braho do të ishte po ai njeri: fshatari i ndershëm, i varfër, i braktisur nga pushteti. Një figurë që, pavarësisht kohës, mbetet simbol i njeriut të thjeshtë shqiptar. (A2 Televizion)