Një nga plagët më të hershme dhe më të thella në jetën e Mehdi Malkajt është humbja e nënës në moshën pesëvjeçare. Një mungesë që, sipas tij, nuk kompensohet kurrë plotësisht. Për rritjen e tij dhe vëllezërve u kujdes gjyshja, pasi babai punonte minator në Memaliaj.
“Unë kam qenë pesë vjeç kur ka vdekur nëna dhe vëllai i vogël ka qenë në gji, vëlla i madh tetë vjeç. Dhe nëna është ajo që sidomos në atë kohë dhe në atë vend, që nënat ishin thjesht për në shtëpi, gatuanin, bënin edhe kujdeseshin për fëmijët dhe gjërat funksiononin shumë mirë. Ndërsa unë s'kisha një njeri që të më lante rrobat. Nuk pata një njeri që thoshte kjo bëhet kështu, e kjo bëhet kështu. Domethënë s'kisha njeri që të interesohesh për në shkollë, se në shkollë interesoheshin po nënat, se ato kishin kohën për të vajtur edhe për të takuar”, tregon Malkaj në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.
“Babai ishte një burrë i jashtëzakonshëm. I vdiq gruaja 30 vjeçe. Ai vetë ishte 36 dhe i la katër djem. Ç’mund të bëjë një burrë që punon në minierë për katër djem? Kishim një gjyshe, mamanë e nënës, se babai ishte rritur vetë jetim, e cila bëri maksimumin që mund të bëjë ë një gjyshe. Sa gjyshet janë fal Zotit. Nuk orientohesh dot pa nënë. Nuk orientohesh dot”.
Kjo fëmijëri e prerë herët e mësoi Malkajn të rritet shpejt, të vëzhgojë njerëzit dhe të kuptojë dhimbjen. Pikërisht këtu ai gjen burimin e ndjeshmërisë që më vonë do ta shndërronte në art. (A2 Televizion)