300 kredi me interes zero përfitojnë ushtarakët e mjekët, policët marrin edhe dietat ushqimore

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2023, 16:51 | Politikë

Qeveria shqiptare ka zgjedhur 300 punonjësit të Policisë së Shtetit, ushtarakëve dhe mjekëve për t’i bërë ata përfitues të parë të kredisë për strehim me interes zero.

Kryeministri Edi Rama tregoi se ky projekt do të vijojë edhe vitin tjetër.

“Ky program i dhënies së kredive për shtëpi për të gjithë ata që kanë familje të reja, me të gjitha interesat e marra përsipër nga shteti, është një program që faktikisht e bën plotësisht të mundur atë që pa këtë program është e pamundur që të marrin një kredi dhe të blejnë një shtëpi. Vitin e ardhshëm ne do të vazhdojmë me dhënien e këtyre kredive. Do të kemi mundësinë që ta zgjerojmë numrin dhe do të ketë mundësi për të gjithë ju në këto kategori, ndërkohë që ne po shohim edhe zgjerimin që të bëheni me shtëpinë tuaj”, tha kryeministri.

Në pritje të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese të ligjit për tarifat e studentëve të mjekësisë, efektet e të cilit në ndërkohë janë pezulluar, Rama i qëndron të vetës se kush nuk do të punojë në Shqipëri pas studimeve, do të paguajë tarifën e plotë vjetore universitare.

Rama lajmëroi se Ministria e Brendshme ka zgjidhur edhe kërkesën për dietat ushqimore për punonjësit e rendit, ndërsa detajet i dha kreu i dikasterit, Taulant Balla, pas mbledhjes së Qeverisë.

“Për çdo 22 ditë pune në muaj ose 264 ditë në vit çdo punonjës policie do të marri një pagesë për një vakt ushqimor që shkon në afërisht 118 mijë lekë të reja. Ky është detyrimi për vitin 2023. Ne po përmbyllim brenda kësaj jave dhe një marrëveshje me rrjetet e supermarketeve dhe dyqaneve që shesin mallrat bazë ushqimore. Ne do të negociojmë që të ketë një ulje 10-15% për çdo punonjës të policisë me rrjetet e dyqaneve që po negociojmë”, u shpreh Balla. 

Zjarrfikësit do të shpërblehen me një pagë mujore, ndërsa ata që u dërguan për të shuar zjarret në Greqi, do të përfitojnë dy paga, pohoi Balla.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos