Partia Socialiste do të festojë 34-vjetorin e krijimit të saj më 19 qershor, në një aktivitet festiv që do të zhvillohet në Tiranë. Burime pranë selisë rozë bëjnë me dije se data është shtyrë nga 12 në 19 qershor, për shkak se kryetari i partisë, Edi Rama, ndodhet aktualisht jashtë vendit.
Përveç ceremonisë zyrtare për përvjetorin e themelimit të partisë, aktiviteti i 19 qershorit do të shënojë edhe nisjen e Akademisë Verore të Socialistëve, një nismë që synon ndërthurjen e brezave dhe përgatitjen e prurjeve të reja për jetën politike, shkruan A2 CNN.
Në këtë akademi do të angazhohen figura të njohura të Partisë Socialiste dhe veteranë të saj, të cilët do të ndajnë përvojën e tyre me të rinjtë që kanë hyrë rishtazi në strukturat e partisë. Qëllimi është edukimi politik, formimi organizativ dhe përgatitja për sfidat e ardhshme politike dhe elektorale. (A2 Televizion)