Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për caktimin e seancës së parë në themel për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, e parashikuar për më 30 qershor, ora 10:00.
Në një prononcim për mediat, Berisha u shpreh se as ai personalisht dhe as avokatët e tij nuk janë vënë ende në dijeni të vendimit të gjykatëses që ka vendosur dërgimin e çështjes për gjykim, shkruan A2 CNN.
“Së pari, komenti im është vetëm ky: personalisht ne të interesuarit dhe trupa e mbrojtjes nuk kemi gjer sot në dorë vendimin e marrë nga gjykatësja që ka dërguar çështjen për gjykim. Nuk kemi vendimin. A mund të imagjinoni ju? Edhe kjo ndodh,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se çdo koment tjetër do të jepet pas konsultave me avokatët, duke nënkuptuar se mbrojtja është në pritje të dokumentacionit për të ndërtuar qëndrimin e saj për procesin që pritet të nisë.
Kujtojmë se Berisha është një nga të pandehurit në këtë dosje, që lidhet me dyshimet për abuzime në procesin e privatizimit të kompleksit “Partizani”, një çështje e ndjekur nga SPAK dhe tashmë në duart e GJKKO. (A2 Televizion)