Kreu i PD, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratave të Elisa Spiropalit, pas publikimit të draft-raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë. Në një konferencë për mediat, Berisha e cilësoi raportin si një akt damkosës për kryeministrin Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, duke ironizuar Spiropalin si “Miss Metamorfozën” dhe përmendur Altin Troplinin.
“Raporti i Parlamentit Europian i referohet fjalë për fjalë konstatimeve të OSBE/ODIHR dhe institucioneve ndërkombëtare, që theksojnë se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të pabarabarta. Kjo është dëshmi se Edi Rama ka ndërtuar një shtet elektoral”, tha Berisha.
Sipas tij, raporti akuzon qartazi qeverinë për përdorim të burimeve shtetërore në fushatë, mungesë të barazisë në garë dhe kapje të institucioneve, shkruan A2 CNN.
“Në raport përmendet qartë se ndarja e pushteteve nuk respektohet në Shqipëri. Dhe përgjegjësi kryesor për këtë është Edi Rama”, shtoi ai.
Berisha përgënjeshtroi pretendimet e mazhorancës se opozita është kundër procesit të integrimit, duke theksuar se Komisioni dhe Parlamenti Europian e konfirmojnë mbështetjen e opozitës për integrimin.
Në fund, Berisha akuzoi kryeministrin për shkelje sistematike të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si goditje të drejtpërdrejtë ndaj shtetit ligjor. (A2 Televizion)