Kryeministri Edi Rama, në Konferencën Ndërkombëtare për Qeverisje, në një panel diskutimi për perspektivën e Shqipërisë në procesin e integrimit, u shpreh se nëse Shqipëria do të veprojë “si një vend anëtar i BE, kjo do ishte trashëgimia më e madhe që mund t’i japim fëmijëve tanë”.
“Procesi për ne është po aq i rëndësishëm, edhe më i rëndësishëm se rezultati përfundimtar. Udhëtimi është ai që kemi nevojë, nëse ne bëhemi një vend i cili vepron si një vend anëtar i BE, kjo do ishte trashëgimia më e madhe që mund t’i japim fëmijëve tanë”, tha Rama, shkruan A2.
“Që fëmijët të rriten në një shtet ku institucionet funksionojnë si në Itali apo një vend tjetër mesdhetar. Sepse si Gjermania nuk bëhemi dot edhe me ndihmën e Bashkimit Europian. Prandaj, ne kemi nevojë që të mos e humbasim plotësisht mundësinë që të kemi disa gjëra të vogla në jetët tona, pjesën e gëzueshme të jetës dhe kjo është arsyeja pse të gjithë ambasadorët dëshirojnë të qëndrojnë më gjatë në Shqipëri nga sa është misioni i tyre dhe kur largohen janë gjithmonë të trishtuar”, shtoi Rama.
(A2 Televizion)