9 muaj në burg, Meta sytë nga Strasburgu, kërkon lirinë jashtë vendit

Nga Ervin Koçi
22 Korrik 2025, 15:21 | Politikë

Liria e Ilir Metës vijon të jetë në duart e drejtësisë shqiptare, por rikthimin e saj kryetari i Partisë së Lirisë e shpreson nga ajo ndërkombëtare. 9 muaj nga vendosja prapa hekurave, avokati i ish-Presidentit të Republikës u shpreh se janë në pritje të shqyrtimit të ankimit kushtetues, ku pritshmëritë i kanë minimale.

“Nuk kemi pritshmëri, presim vetëm ezaurimin e hapave ligjore për t’iu drejtuar më pas Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut”, u shpreh avokati Kujtim Cakrani.

Krahas qasjes se klienti i tij po mbahet i burgosur pa prova, avokati akuzoi Prokurorinë e Posaçme se po shkel hapat procedural në shqyrtimin e çështjes.

“E kishin harruar Presidentin në qeli, e kuptoni se çfarë vendi jemi, kishin harruar presidentin në qeli!”, tha avokati Cakrani.

Në këto 9 muaj izolimi, aktivitetin politik Ilir Meta e vijoi nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Tedi Blushi, i cili thotë se katër parlamentarët e Partisë se Lirisë janë gati për betejën në shtator.

“Jemi më të motivuar se kurrë”, u shpreh sekretari i përgjithshëm Tedi Blushi.

Çështja e Ilir Metës ka kaluar në gjykim dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza, korrupsion pasiv, deklarimi ose mosdeklarimi i formularëve dhe pastrimi i produkteve të veprave penale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos