Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Burimet zyrtare i thanë A2 CNN se veprimet kanë nisur këtë të martë duke shtuar se shkak janë bërë vonesat në respektimin e afateve në dokumentin e firmosur mes palëve.
Madje më tej thuhet se synimi është për të zhbllokuar situatën e krijuar pas vonesave në përfundimin e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në vend. Punimet për ndërtimin nisën zyrtarisht në nëntor të vitit 2021 dhe do të duhej të fillonte operimin në 2025-ën.
Fillimisht punimet u shfaqën me ritmet e parashikuara, madje në maj të një viti më parë u ul edhe aeroplani i parë për të konfirmuar edhe pistën e shtruar. Prej atij momenti diçka ngeci. Aksionerët Behgjet Pacolli me 98 për qind të aksioneve dhe Valon Ademi me 2 për qind u përfshinë në një konflikt ligjor.
Ky i fundit pretendoi 47 për qind të pronësisë duke nisur dhe proces gjyqësor. Fillimisht Shkalla e Parë pezulloi të drejtat e Pacollit dhe i njëjti vendim mbeti në Apel.
Ishte Shkalla e Tretë që e ktheu situatën në kontratën fillestare, por palët zbritën sërish para togave të zeza, këtë radhë për administratorin. Kriza ndikoi në punimet dhe marrjen e licencës për funksionimin e aeroportit.
Në kushtet e krijuara përmes rrjeteve sociale, Pacolli ka apeluar për reagim institucional, ndërsa më herët ka paralajmëruar se do t'i drejtohet dhe arbitrazhit ndërkombëtar. Megjithatë tashmë nën debatet në sallat e gjyqit mes investitorëve, çështja e aeroportit të Vlorës do të kalojë në zgjidhjen e kontratës ku qeveria thotë se do të marrë vetë në dorë investimin.
Ndarja u paralajmëruar 3 muaj më parë dhe nga ministri Enea Karakaçi i cili u la afat palëve. Investimi është konsideruar nga qeveria vlerë shtesë jo vetëm për turizmin në Vlorë por dhe për projektin e ndërtimit në Ishullin e Sazanit. (A2 Televizion)