Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se duke pasur frikë nga vota e diasporës, ai ka urdhëruar përfaqësuesit e tij në KQZ që të mos lejojnë zgjatjen e afateve për regjistrimin në platformë të shqiptarëve jashtë Shqipërisë.
Berisha përsëriti edhe njëherë thirrjen drejtuar ndaj bashkëatdhetarëve që të shfrytëzojnë dhe momentet e fundit për t’u bërë pjesë e zgjedhjeve të 11 majit.
“Edi Rama personalisht në vitin e diasporës urdhëroi përfaqësuesit e tij në KQZ të refuzojnë propozimin e përfaqësuesve të PD për të zgjatur të paktën gjer në datën 9 regjistrimet e anëtarëve të diasporës për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit.
Refuzimi kategorik i Edi Ramës dhe përfaqësuesit të tij, Damian Gjiknuri, dëshmon frikën dhe tmerrin që i ka kapur ata dhe partinë e tyre të krimit nga vota e lirë e shqiptarëve jashtë vendit.
Shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje të gjithë shqiptarëve këto orë që kanë mbetur t’i shfrytëzojnë për regjistrimin masiv të tyre, edhe në një akt ndëshkimi për njeriun që ka fobi të tmerrshme nga vota e tyre.
Ndërkohë, thirrja e fundit është për përfaqësuesit e tij në entin rregullator të KQZ, të kundërshtojnë vendimin e Edi Ramës, të votojnë me përfaqësuesit e opozitës, se në këtë mënyrë ata do ngrihen në lartësinë e Kushtetutës së vendit dhe nuk do bëhen mercenarë për të përjashtuar në tërësi mbi 500 mijë shqiptarë nga e drejta e votimit”, shprehet mes të tjerash Berisha. (A2 Televizion)