Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi Kryeministrin Edi Rama se udhëtoi me avion privat me vlerë 36 mijë euro, për në Samitin e NATO-s në Hagë, shkruan A2 CNN.
“36 mijë euro merr Endri Fuga, avionin në dispozicion për Edi dhe Linda Ramën. Në një kohë kur 18 për qind e fëmijëve në Shqipëri nuk kanë tre vakte ushqim në ditë. Për mua është abuzim ekstrem me pushtetin. Me Holandën, Belgjikën ka disa linja të lira çdo ditë dhe Ramaduro me zonjën e tij, mund të udhëtonin me 40-50 euro biletën dhe të paguanin edhe diçka tjetër më shumë si preferencë. Por nuk mundet, u duhet avioni në dispozicion”, tha Berisha.
Kreu i opozitës tha se kjo aferë mbulohet nga kreu i SPAK, Altin Dumani. “Nuk ekziston asnjë ligj, asnjë vendim që e autorizon kryeministrin që të veprojë në këtë mënyrë. Samiti i NATO-s ishte i paralajmëruar muaj më para dhe muaj më parë mund të prenotoheshin biletat. Por jo, do shkonte i kapardisur me çarter pasi shpenzoi 21 milionë euro. A u kujtohet kur u thoshte shqiptarëve se çarteri është më i lirë se biletat? Çfarë mashtrimi bënte. Kështu që nuk mund të mos e dënoj me forcën më të madhe këtë akt”, tha Berisha. (A2 Televizion)