Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon verifikimin e thelluar nga Prokuroria e Përgjithshme për kreun e Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj.
Në kërkesën e firmosur nga 15 deputetë dhe që i është dërguar organit të akuzës, demokratët hedhin dyshime se Marinaj nuk mund të ushtrojë më detyrën për shkak se preket nga ligji i dekriminalizimit. Sipas tyre, Marinaj akuzohet nga Prokuroria e Antimafias Italiane si drejtues i një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës, por këtë fakt nuk e ka deklaruar nga formularin e dekriminalizimit.
“Në datën 5 Qershor 2015, Drejtoria Rajonale Antimafia, e Prokurorisë së Republikës, pranë Gjykatës së Firences, e përfaqësuar nga prokurori Dr. Giulio Monferini ka njoftuar mbylljen e hetimeve paraprake ndaj personave të hetuar, ku rezulton se shtetasi Tonin Marinaj, lindur në Shqipëri, më 05.12.1966, është në rolin e themeluesit, nxitësit dhe drejtuesit të një organizatë kriminale e përbërë prej më shumë se dhjetë anëtarësh, me tipare ndërshtetërore, me bazavepruese në Shqipëri dhe Itali, e angazhuar sistematikisht, profesionalisht dhe në vazhdimësi në eksportimin në territorin italian të sasive të mëdha të mariuanës për t’u shpërndarë me pakicë nga anëtarët e organizatës kriminale”, kërkesa e grupit parlamentar të PD.
Në kërkesën drejtuar Olsjan Çelës demokratët citojnë dhe pjesë nga dosja, ku emri i Marinajt sipas tyre rezulton në të paktën tre episode.
“Episodi i parë: Kreu i organizatës kriminale Tonin Marinaj ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarjen tek anëtarët të 50 kilogramëve mariuanë në Firence, në datën 29.05.2010; Episodi i dytë: Kreu i organizatës Tonin Marinaj ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarje tek anëtarët për shitje të jo më pak se 75kilogramëve mariuanë, në Firence, në datën 14.06.2010; Episodi i tretë: Kreu i organizatës Tonin Marinaj ka organizuar dhe drejtuar importimin në territorin italian dhe shpërndarjen tek anëtarët e 42 kilogramëve mariuanë, pjesë e një sasie prej 388 kilogramësh mariuanë të magazinuar në Firence, në Firence, në datën 23.07.2010”, kërkesa e grupit parlamentar të PD.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike pohon se problemet me drejtësinë italiane nuk janë deklaruar nga Marinaj në formularin e dekriminalizimit. Opozitarët kërkojnë edhe referimin e gjetjeve përkatëse, për hetime të mëtejshme pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për veprën penale të fshehjes së të dhënave në formularin e vetëdeklarimit apo veprimtari të tjera kriminale. (A2 Televizion)