Meta: Autoriteti i BE dhe SHBA është cenuar nga marrëdhëniet korruptive me autokratët në Shqipëri

Nga A2 CNN
1 Korrik 2024, 18:08 | Politikë

Meta: Autoriteti i BE dhe SHBA është cenuar nga marrëdhëniet

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka hedhur akuza të rënda, kësaj here jo në drejtim, të kundërshtarit të tij kryesor, Edi Rama, por ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian. Duke folur, në Forumin Rajonal “Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes”, Meta tha se BE dhe SHBA do duhet të ngrenë më fort zërin, të kenë një llogaridhënie më të madhe, që të mos humbasin besimin e qytetarëve. Sipas tij, autoriteti i BE dhe SHBA është cenuar nga marrëdhëniet korruptive që kanë ndërtuar liderët autokratë me zyrtarë të lartë të caktuar. Si shembull, soli rastin e McGonigal.

“Sot, edhe më shumë se dje, nevojitet rikthim urgjent në shinat e politikës së jashtme klasike, dhe jo eksperimentale apo në formatin e “biznesit për paqe”. Nevojitet njohja e realiteteve, rikthim në shtyllat e parimeve dhe forcim i kushtëzimit.

Në vendet tona punohej më shumë dhe kishte më shumë përparim kur BE dhe SHBA flisnin më fort, më hapur dhe me një zë. Reformat kuptimplota dhe të vërteta brenda secilit vend prodhuan lëvizjen pa viza drejt Europës dhe brenda rajonit, zgjeruan perimetrin e kufirit të NATO brenda nesh, forcuan ekonomitë, institucionet, ulën tensionet ndërmjet popujve dhe rritën shkëmbimet e natyrshme në të gjitha fushat. Kishte më shumë llogaridhënie, më shumë entuziazëm, më shumë besim nga qytetarët, ashtu sikurse kishte leva më të forta të BE dhe SHBA.

Sot, autoriteti i BE dhe SHBA është cënuar edhe nga marrëdhëniet korruptive që kanë ndërtuar liderët autokratë me zyrtarë të lartë të caktuar, ku rasti i McGonigal është bërë shembull i përbotshëm se si autokratët korruptojnë edhe zyrtarët më të lartë të FBI për të eleminuar opozitën politike dhe pluralizmin.

Po kështu edhe përfshirja dhe imponimi i agjendave të diplomacisë nga aktorë jo-shtetërorë, që nuk dihet se kë dhe çfarë interesash përfaqësojnë ndërsa ulen në tryeza të larta politike vendimmarrëse. Ballkani, po ashtu, nuk mund të jetë vendi ku tregtohen interesa të ngushta e afatshkurtra, si për shembull, koshi ku hidhen emigrantët e paligjshëm, sepse Ballkani nuk mund të jetë Ruanda e BE”, tha Meta.

Për këtë arsye, sipas tij, duhet të ndryshojë politikbërja në rrafshin e politikës së jashtme.

“Sa më shpejt të ndryshojë ky kurs politikbërjeje, sa më pranë realitetit të vendoset ai, aq më shumë do të frenohet rreziku për destabilitet për vendet tona, rajonin, vetë Bashkimin Europian dhe hapësirën euro-atlantike.

Prandaj, vizioni, guximi, kurajo dhe bashkëpunimi na duhen në të gjitha frontet, për forcimin e demokracisë funksionale në secilin nga vendet tona, në shpejtimin e ritmit të integrimit në BE, si dhe në rezistencën ndaj çdo influence që i devijon vendet tona nga rruga Trans-Atlantike”, përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos