Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama si personi përgjegjës që ka shkaktuar krime kundër njerëzimit në lidhje me skandalet në shëndetësi.
“Rama u përpoq të mbulojë krimet kundër njerëzimit që ka shkaktuar ai personalisht me sistemin e falimentuar të shëndetësisë”, theksoi Berisha.
Berisha e ka quajtur Ramën si krye-Tirja e shëndetësisë.
“Ka Tire në shëndetësi, por krye-Tirja e shëndetësisë je ti! Ke kryer krime kundër njerëzimit me vdekjet nga COVID”, theksoi Berisha.
Berisha ka vijuar me akuzat në drejtim të kryeministrit Rama përsa i përket gjendjes të shëndetësisë në Shqipëri.
“Po a nuk është krim kundër njerëzimit t’u mungojnë vogëlushëve ilaçet, kurse ti blen për oborrin tënd instalimin 4 milionë?”, u shpreh Berisha.
Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se 11 korriku është dita kundër krimeve kundër njerëzimit të kryera mbi shqiptarët nga Edi Rama. Ai i ka bërë thirrje mjekëve që të marrin pjesë në protestën e 11 korrikut.
“U bëj thirrje bluzave të bardha, në emër të misionit të tyre, të marrin pjesë në protestën e 11 korrikut”, përfundoi Berisha në protestën poshtë ballkonit të tij. (A2 Televizion)