Politikani Enkelejd Alibeaj ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po negocion me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, për ndryshimet kushtetuese, me qëllim ruajtjen e kontrollit politik dhe pengimin e hyrjes së forcave të reja në Parlament.
Sipas Alibeajt, ndryshimet kushtetuese janë thelbi i marrëveshjes së mundshme mes dy liderëve politikë. Ai pretendon se Rama e ka artikuluar këtë synim që në shtator të vitit 2025, por planet janë shtyrë për shkak të protestave.
I ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Alibeaj komentoi edhe qëndrimin e Berishës për uljen e numrit të mandateve të deputetëve, duke e cilësuar këtë si një mënyrë për të ruajtur dominimin e dy partive kryesore në skenën politike.
“Lepuri fle te ndryshimet kushtetuese. Nëse ka pasur një plan të lançuar nga Edi Rama më 11 shtator 2025, fjala e parë që ka thënë ai atje: Do bëjmë ndryshime kushtetuese tha. Ai e vazhdoi idenë e ndryshimeve kushtetuese kundër drejtësisë, për të forcuar pushtetin e vet, për të rrëzuar pushtet e tjera, derisa doli protesta në qershor që i shtyu pak planet. Kam dëgjuar nga Berisha këtë historinë, i qëndron më 101-shit?! Sepse zvogëlimi i numrit të mandateve e bën totalisht të pamundur çdo lloj filizi të ri të futet atje, ruan duopolin. Ja ky është pazari”, u shpreh Alibeaj. (A2 Televizion)