Demokratët janë aq të bindur se harta e tyre territoriale me 100 bashki afron shërbimet te qytetari dhe frenon shpopullimin e zonave rurale, sa janë të gatshëm të sfidojnë mazhorancën me referendum.
Sfida më kryesore është kjo: ftojmë politikën, mazhorancën, por edhe qytetarët, të realizojmë një referendum. Dy projektet të hidhen në referendum dhe të jetë qytetari ai që vendos e përcakton se cili është modeli që i shkon më afër interesit të tij.
Motivi pse nuk e dorëzojnë draftin e tyre në Kuvend shkon përtej procedurave.
Boçi: Parlamenti nuk ka autoritet, pas përfundimit të punës së komisionit, të shqyrtojë një produkt që i vjen nga një grup deputetësh. Sepse nuk është çështje procedure, është çështje demokracie. Produkti nuk ka autoritet moral, politik, parlamentar apo kushtetues dhe nuk mund të kalojë nëpërmjet Parlamentit.
Po nëse PS refuzon sfidën për referendum, a do ta kërkojë zyrtarisht PD thirrjen e qytetarëve në votë?
Boçi: Sigurisht që ne do ta kërkojmë, por përballë duhet të jetë edhe sfidanti, apo jo, në një referendum? Pra, duhet që edhe projekti i tyre të kalojë nëpërmjet referendumit. Ne do t'i ndjekim të gjitha procedurat për ta realizuar një gjë të tillë.
I pyetur nga A2 CNN, Sali Berisha nuk i fshehu pritshmëritë që ka ndaj ndërkombëtarëve.
Berisha: Reforma e përbashkët territoriale dhe reforma e përbashkët zgjedhore janë të përcaktuara në raportin e Komisionit Evropian të tetorit të vitit të kaluar si kushte për progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Me ndryshimet në drejtimin e selive diplomatike, momenti nuk është më ideali.
Berisha: Ky akt i tërheqjes së njëanshme, bojkoti i njëanshëm i qeverisë, ndodhi në një moment vakancash dhe largimesh, por kam bindjen e thellë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë një tërheqje të tillë.
A2 CNN pyeti gjithashtu kryedemokratin nëse ecja në mënyrë të njëanshme e mazhorancës me ndarjen e saj territoriale vë në pikëpyetje praninë e opozitës në Komisionin tjetër të Reformës Zgjedhore.
Berisha: Ne kemi bindjen se Edi Rama nuk pranon asgjë që lëkund apo cenon sadopak pushtetin e tij. Por qëndrimi ynë është të hartojmë dhe t'u paraqesim shqiptarëve kodin zgjedhor më të mirë dhe sipas standardeve më të mira ndërkombëtare. (A2 Televizion)