
Gjykata e Posaçme liroi nga burgu ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ai do të qëndrojë nën masën e sigurisë "arrest në shtëpi".
Ish-ministri i Shëndetësisë ndodhej në paraburgim që prej korrikut 2024 për llogari të dosjes "SASPAC", në të cilën akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë "korrupsionin", "pastrimin e parave" dhe "falsifikimin e dokumenteve".
Dy vite nga arrestimi, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, është liruar nga qelia. Në seancën e zhvilluar në GJKKO, avokati i tij kërkoi shuarjen e plotë të masës së sigurisë, me argumentin se kanë kaluar afatet e paraburgimit. Megjithatë, trupa gjykuese vendosi që ai të qëndrojë në arrest shtëpie deri në përfundimin e procesit gjyqësor, ku akuzohet nga SPAK për çështjen e fondeve të SASPAC. Vetë Beqja ishte i pranishëm në seancë dhe duket se të gjitha palët ranë dakord me këtë vendim.
SPAK hetoi tetë tendera që lidhen me këtë dosje, të zhvilluar në kohën kur Beqja ishte drejtor i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj. Ndër të tjera, prokuroria konstatoi shpenzime të pajustifikuara. Sipas SPAK, ish-ministri zotëron edhe aksione në një restorant. Për këtë procedim janë përdorur përgjime, si edhe shënime të gjetura mes palëve.
Më 28 korrik, GJKKO vendosi t'ia kthejë SPAK-ut dosjen për hetime të mëtejshme, duke mos e kaluar çështjen për gjykim në themel.
Beqja vijon procesin gjyqësor edhe në dosjen e koncesionit të sterilizimit, ku ndaj tij është në fuqi masa e sigurisë "detyrim paraqitjeje". (A2 Televizion)