Partia Demokratike kërkon hetim ndërkombëtar për çështjen e bllokimit të anijes me 100 kontenierë me mbetje toksike që dyshohet se është nisur nga Shqipëria, teksa ende nuk dihet fati i tyre nëse kanë dalë vërtetë nga vendi ynë dhe a do të kthehen mbrapsht për t’u shkarkuar këtu.
Kreu i demokratëve, Sali Berisha, në një deklaratë nga banesa e tij kërkoi që OKB, NATO dhe OSBE të zbardhin këtë aferë: “Partia Demokratike u bën thirrje dhe njëherë dhe i bën thirrje OKB-së, i bën thirrje NATO-s dhe OSBE-së, të hetojë gjer në fund aferën e 100 kontenierëve me lëndë toksike të eksportuara nga Shqipëria. Të gjendet përmbajtja e tyre dhe kush qëndron mbrapa”.
Teksa e cilëson skandaloze deklaratën e autoriteteve shqiptare se nuk kanë autorizuar eksportin e kontejnerëve nga Porti i Durrësit, Berisha fajëson zyrtarët e Qeverisë dhe drejton gishtin direkt nga Kryeministri: “Kjo deklaratë skandaloze dëshmon se prapa tregtisë me lëndë të rrezikshme për jetën e qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve të vendeve të tjera, qëndrojnë autoritetet më të larta të vendit, qëndron Edi Rama”.
Sipas medias ndërkombëtare që ka ndjekur çështjen, anija me mbetje të rrezikshme po kthehet në Shqipëri, ndaj Berisha kërkon nga qytetarët ngritjen në protesta që ngarkesa toksike të mos shkarkohet në vendin tonë: “I bëj thirrje shoqërisë civile, aktivistëve, mbrojtësve të mjedisit, të mos lejojnë shkarkimin e tyre në Portin e Durrësit, pa dalë të gjithë përgjegjësit e këtij akti të pashembullt, pa zbuluar mirë se kush qëndron prapa këtij akti dhe cilat janë substancat helmuese që përmbajnë kontenierët e eksportuar nga narkoqeveria shqiptare”.
Ky akt, sipas Berishës, tregon se njësoj siç largohen pa autorizim mbetjet toksike, njësoj importohen qindra konteinerë me drogë dhe helme që groposen në Shqipëri. (A2 Televizion)