Kërkesa e Presidentit Begaj ndaj Kushtetueses, reagon Bardhi: Ushtar i Ramës, kërkon të rrëmbejë Gjykatën

Nga A2 CNN
30 Janar 2025, 18:58 | Politikë

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas kërkesës së Presidentit Bajram Begaj, i cili ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese një sqarim përfundimtar mbi mekanizmin e përtëritjes së pjesshme të trupës gjyqësore, duke kërkuar që ky proces të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën.

Në letrën e Presidentit thuhet se sqarimi i këtij aspekti është kyç për të shmangur shkeljet e mundshme të Kushtetutës dhe për të siguruar integritetin e sistemit të drejtësisë, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë në reagimin e tij Gazment Bardhi kërkesën e Begajt si një akt të pashembullt në emër dhe për llogari të Edi Ramës, për të kapur Gjykatën Kushtetuese.

Duke e quajtur Begajn ushtar të Ramës, Bardhi shkruan më tej se loja e Bardhit rrezikon legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese dhe bën thirrje që veprimet e tij të ndalen.

Reagimi i Bardhit:

Akti i pashëmbullt i Bajram Begajt, në emër dhe për llogari të Edi Ramës, për të kapur 100 % Gjykatën Kushtetuese, është jo vetëm i dënueshëm, por edhe i papranueshëm.

Kushtetuta qartësisht i ka dhënë gjyqtarëve në detyrë një mandat të plotë 9 vjeçarë, që nuk mund të cenohet në asnjë rrethanë pas fillimit të detyrës. Cënimi i mandateve nënkupton cenimin e vetë pavarësisë së Gjykatës dhe parimeve themelore të shtetit të së drejtës.

Me aktin e sotëm Bajram Begaj nuk ka surprizuar askënd për rolin e tij si ushtar i bindur i Edi Ramës, por guximi i tij për të shkuar deri tek hedhja në erë e Kushtetutës vetëm që Edi Rama ta rrëmbejë Gjykatën Kushtetuese 100 %, është përtej pritshmërisë së shërbimeve edhe nga ushtari me gradën më të ulët.

Duke dënuar me forcë aktin e sotëm të Bajram Begajt, apeloj që kjo lojë që rrezikon legjitimitetin  e vetë Gjykatës Kushtetuese, të ndalet menjëherë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos