“Trump do përdorë gërshërët”- Vangjeli për pezullimin e fondeve të SHBA: Cili është i humburi i madh

Nga A2 CNN
29 Janar 2025, 21:49 | Politikë

Analisti Lorenc Vangjeli është shprehur se i humburi i madh nga pezullimi i fondeve të SHBA-ve për institucionet dhe organizatat shqiptare, është shoqëria civile.

Komentet Vangjeli i bëri në emisionin 'Debat' me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se një pjese të këtyre organizatave të shoqërisë civile, aktiviteti liberal i të cilave bie ndesh me politikat e Trump, do u bllokohen përfundimisht fondet.

Ai shtoi gjithashtu se drejtësia dhe siguria janë dy sektorët kyç në Shqipëri që kanë nevojë për fondet dhe garancinë e SHBA-ve.

“Drejtësia dhe Siguria, këto janë dy kyçet në të cilat ne kemi nevojë të dëshpëruar jo thjesht për para, por edhe për atë garancinë që vjen nga SHBA-të. Këto janë dy sektorët më të rëndësishëm sipas meje.

Unë them se edhe pas verifikimit që do të bëhet, këto dy sektorë do e kalojnë këtë lloj provimi dhe ndoshta edhe mund të ketë ndihmë më të madhe në këtë pikë. Sepse siguria e Shqipërisë, pavarësisht përmasave krejtësisht modeste, ka ndikimin e vet edhe në atë që Trump konsideron si parësore, që është ‘siguria e SHBA-ve mbi të gjitha’.

Shqipëria është një nga dhe ndoshta ka një tërrime në gjithë këtë sofër të madhe. Vlera është shumë e vogël, por simbolika ndikon. I madhi i humbur në këtë histori do të jetë shoqëria civile. Trump do të përdorë gërshërët për një pjesë të madhe të shoqërisë civile”, tha Vangjeli, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos