Apeli i konfirmoi burgun, Salianji bën Ramën përgjegjës:  Në luftë ka dhe sakrifica, pengesë që do ta kaloj

Nga A2 CNN
26 Shtator 2024, 18:14 | Politikë

Apeli i konfirmoi burgun, Salianji bën Ramën përgjegjës:

Disa orë pasi Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me 1 vit burg për kallëzim të rremë, Ervin Salianji ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku përgjegjës kryesor bën kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij iu ka premtuar poste trupës së gjyqtarëve që dha vendimin.

Salianji shkruan se dënimi është politik dhe shton se kjo erdhi pasi mazhoranca ka frikë prej tij pasi e ka mundur në çdo përballje elektorale apo debat.

Postimi i Ervin Salianjit

I kam mundur në çdo përballje elektorale, e në çdo debat publik.

I kam mundur e treguan sa frikë më kishin!

Kam denoncuar me forcë çdo padrejtësi, pa kompromis, pa frikë e përballë çdo segmenti të mafies!

Ky vendim nga gjyqtarë mjeranë, që shesin dinjitet e profesion vetëm për karrige, më bind dhe më shumë që kam pasur e kam të drejtë.

Sepse prokurori dhe gjykatësi i çështjes ndaj meje, doli ballëhapur në publik me një shenim të gjatë, duke treguar pa teklif se ai e vuri në skenë këtë farsë juridike, këtë proces politik dhe se ishte ai që mori vendimin.

Ky është Edi Rama.

Edhe më herët si në seancën e fundit në Kuvend, ai kërcënoi kolegë me vendimin që kishte marrë ndaj meje. Fare hapur.

Nëse nuk është ai autori i këtij ndëshkimi, ku e dinte dy javë më parë se çfarë do të shpallej sot.

Dënohem se denoncova vëllain i Ministrit të Brendshëm.

Dënohem nga kunata gjyqtare e zv/Kryeministres dhe gjyqtari ish përfaqësues i PS në KQZ që e shiti shpirtin, integritetin vetëm se i kanë premtuar Gjykatën e Lartë!

Nëse ky nuk është akt politik, çfarë mund te jete tjetër!

Rama një burracak që kërcënon nga fuqia që i ka dhënë vjedhja e gjithë pushteteve në mënyre tinëzare e korruptive. Një burracak që kërkon të ruajë nderin e tij të shqyer nga krimi e korrupsioni, duke mbyllur gojën e kritikëve, kundërshtarëve.

1 mijë herë do ta beja prapë denoncimin që kam bërë. Se kjo është korsia që kam ndjekur e do të ndjek deri në fund të aktivizimit tim publik e politik, kundër krimit e korrupsionit.

Kurse ti që ke gjithë institucionet e zyrat në dorë, sa më shumë e shton këtë sundim, aq më larg je të qenit burrë shteti. Dhe ke për të ikur shpejt nga këto ndere e privilegje pa pikën e lavdisë, dhe askush nuk do të gjendet për të treguar një grimcë respekt për ty.

Kurse unë do të jem aty për të treguar të vërtetat e lidhjeve të tua me krimin, me trafikantët e drogës, me bandat, që janë shemtitë e dëmet më të mëdha që dikush i ka bërë ndonjëherë këtij vendi. Ora është kthyer përmbys e për ty ka nisur numërimi mbrapsht. Për mua, thjesht një pengesë në rrugën e gjatë që kam përpara, që kam për ta kapërcyer dhe këtë si shumë kurthe e leqe të tjera që ti je mësuar të ngresh për ata që nuk mendojnë si ti.

Në luftë ka dhe sakrifica!

Kanë marrë mandatin që ma dhanë qytetarët, e lirinë që jep Zoti, por kanë humbur dinjitetin dhe legjitimitetin.

Jam i pari politikan i dënuar ngaqë kam pasur të drejtë, ngaqë kam mbrojtur interesin publik.

Pis nuk më bëjnë dot të pistët!

Nuk kam pasur kurrë asnjë post, asnjë tender, nuk kam mbi shpinë as shitjen e miqve as shitjen e shokëve, e vëllezërve. Madje as jashtëqitja s’më bie  erë korrupsioni e droge.

Jam brezi i ri politikës që nuk më kërcënon dot me dosjet e SHISH-it,  Sigurimit të Shtetit, dhe as jam hetues apo  prokuror i komunizmit, e as i kapur nga krimi e llumi!

Opozitës i dhanë burg për  shpifje!

Në fakt shpifësinë e gojës që spërkat me stërkalat e pështymës me erë, korrupsioni e pleqërie që qelb pa e nuhatur vetëm duke e parë, nuk e lani dot!

Sepse trafikant droge ishte, trafikant droge është e trafikant do mbetet!

E vetmja ndjesë keqardhje që kam sot është për familjarët e miqtë e pafundmë që janë shqetësuar  atyre e mijëra demokratëve,  i detyrohem!

Demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor nuk do ta mposhtin dot! E sotmja për mua është medalja më e lartë që më ka dhënë regjimi, për demokratët e qytetarët kambanë për zgjim!

Ne do ja dalim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos