Pak orë pasi Gjykata e Apelit zbardhi të plotë vendimin e 11 qershorit që e kaloi vulën e Partisë Demokratike në duart e Sali Berishës, nga Lulzim Basha ka ardhur konfirmimi për zyrtarizimin e rekursit për çështjen në Gjykatën e Lartë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Basha njofton se “zbardhja e vendimit skandaloz të 11 qershorit, i hapë rrugë rekursit tonë të menjëhershëm në Gjykatë të Lartë”.
“Ne nuk e pranojmë padrejtësinë, Shqipëria meriton më shumë”, shton Basha më tej, edhe pse në vendimin e Apelit arsyetohet se vula dhe logoja e PD shkoi në duart e Berishës si pasojë e një gafe juridike nga ana e Enkelejd Alibeajt, i cili ishte kryetar i deleguar i kësaj force politike.
Sipas Apelit, ankimimi i Alibeajt më 4 Prill të vitit 2022 kundër vendimit të Shkallës së Parë që njohu Kuvendin Kombëtar të Rithemelimit është i pavlefshëm pasi në po atë datë, ish-deputeti i PD nuk gëzonte me tagrin ligjor për ta përfaqësuar partinë si kreu i saj.
Gjykata sqaron se autorizimi për t’i deleguar Alibeajt detyrën kishte skaduar, pasi ishte i lëshuar nga Lulzim Basha që edhe vetë kishte dhënë dorëheqjen zyrtarisht nga detyra e kryetarit.
“Gjykata analizon elementët formal të ankimit, gjykata konstaton se ankimi është nënshkruar nga z.Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e përfaqësuesit me autorizim të kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Autorizimi/Akti i Përfaqësimit i datës 15.09.2021, lëshuar nga Kryetari i PDSH-së për zotin Alibeaj, i ka dhënë këtij të fundit tagra të përgjithshme përfaqësimi të subjektit politik PDSH në të gjitha proceset gjyqësore. Ankimi kundër vendimit nr.3, datë 25.03.2023 është nënshkruar nga z.Enkelejd Alibeaj, si përfaqësues me autorizim i kryetarit të PDSH-së. Bashkëngjitur ankimit është dhe autorizimi i datës 15.09.2021 i lëshuar nga z. Lulzim Basha. Gjykata e apelit vlerëson se autorizimi i datës 15.09.2021, nuk ka pasur efekte juridike pas datës 21.03.2022, kur z.Lulzim Basha ka hequr dorë publikisht nga funksioni i kryetarit të PDSH-së. Në këto kushte përfaqësuesi i tij, z.Enkelejd Alibeaj, nuk ka patur tagrin për të hartuar e nënshkruar ankimin e datës 04.04.2022 për këtë çështje. Gjykata e apelit vlerëson se pavarësisht se dorëheqja e kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha nuk është kryer në formën shkresore dhe as ka gjetur pasqyrim në regjistrin e partive politike, është një fakt i njohur botërisht dhe i pranuar dhe nga organe të tjera administrative dhe gjyqësore vendimmarrëse në procesin zgjedhor”, thuhet në vendimin e Apelit.
(A2 Televizion)