Arbi Agalliu largohet nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike

Nga A2 CNN
17 Korrik 2024, 11:13 | Politikë

Arbi Agalliu është deputeti i dytë pas Enkelejd Alibeajt që vendos të largohet nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, pas vendimit të Apelit që i kaloi Sali Berishës vulën e kësaj force politike.

“Nisur nga qëndrimet e mia të deritanishme dhe asaj që besoj, shpreh sot largimin nga Grupi Parlamentar i PD.  Demokrat nuk të bën as vula e as logo por qëndrimet dhe parimet, bindjet dhe besimi. Nuk mund të përfaqësojë të djathtën dhe demokratët as ish-sigurimi i shtetit, as ish-sekretarët e partisë dhe rinisë dhe as te indoktrinuarit e tyre.”

Agalliu do të vijojë të jetë deputet në Kuvendin e Shqipërisë si i pavarur, ndërsa largimin e tij nga PD e konsideron parimor në një postim të gjatë në rrjetin social Facebook.

Sipas tij ky vendim në rafshin personal vjen si ndarje me të keqen dhe me atë që nuk mund të jetë alternativë për Shqipërinë e 2025, duke iu referuar PD së drejtuar nga Berisha si “e djeshmja e korruptuar” që nuk mund të jetë e ardhmja.

“Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit fatkeqësisht vendosi që partia më e madhe opozitare ti kalojë Sali Berishës, i cili përfaqëson një politikë që nuk përkon me bindjet e mia, përveç problemeve që ka me drejtësinë apo me vendet simbol të demokracisë. Sot duhet një opozitë larg hijes së korrupsionit dhe që ngjall shpresë për shqiptarët. Fatkeqësisht një grupim apo parti që në lidershipin e saj ka persona me probleme nuk mund të jetë alternativë.  Besoj fort se të djathtës i duhet riorganizim, bashkim si dhe DISTANCIM ndaj çdo faktori që nuk e përfaqëson atë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos