“Autik nëse voton kënetën”, Rama replikon me kritikët për korrupsionin dhe autokracinë

Nga A2 CNN
22 Prill 2025, 14:09 | Politikë

Refuzimin për të debatuar me kundërshtarët dhe kritikët, Edi Rama e theu nga Gjirokastra, ku replikoi në distancë me komentet politike që kishte dëgjuar një natë më parë, duke mos i kursyer epitetet.

“Një tufë edhe pastaj më hidhen mua pse thotë Edi Rama që gjysma e burrave janë çyryk. Po çfarë të them? Unë e them si metaforë, kuptohet, nuk është raport klinik, se për mua, kush shkon në kënetë është gjysmak. Domethënë, të zgjedhësh midis BE-së dhe kënetës, kënetën, domethënë nuk je mirë... Politikisht je autik, nuk je mirë”, tha Rama, shkruan A2 CNN.

I bindur se reformën në drejtësi e bëri ai realitet, nuk pranon moral sa i përket korrupsionit. “Nuk kemi asnjë nga qeveria në burg. Kemi nën hetim, kemi në gjykim, apo të dënuar, njerëz që kanë qenë në qeveri në mandatin e parë, apo në kërkim dikë që ishte zëvendësi im, që nuk ishte në qeveri kur mori arratinë”, tha Rama.

Kujt e akuzon për autokrat, i ofroi një krahasim me Rusinë. “Po të ishte autokraci si në Rusi, ata që dalin nëpër studio do të ishin në burg”, tha Rama.

Politikat sociale për nënat me shumë fëmijë i dhanë mundësi të flasë edhe për veten. “gjyshja ime bëri nëntë dhe do t’i kishte përfituar të gjitha sigurimet. Por bëri nëntë se gjyshi im donte vajzë patjetër... Ishte allasoj gjyshi im, prandaj edhe unë jam pak allasoj dhe kështu që vajza doli e nënta, mamaja ime”, tha Rama.

Pensionistëve të mbledhur për ta dëgjuar, u tha se synon që pensioni minimal të jetë 200 euro dhe ai mesatar 400 euro. “Do bëjmë çmos që ta arrijmë. Të tjerat, këto që ju thonë, janë të gjitha rruga drejt humnerës”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos