Sali Berisha doli i qetë nga shtëpia e tij për përballjen e fundit në Parlament. Seanca që mbyll punimet e Kuvendit për vitin 2023 qëlloi të ishte më e rëndësishmja për nga vendimmarrja politike, heqjen e imunitetit për Sali Berishën, që mundëson arrestimin e tij. Këtë akt, socialistët duket se e prisnin prej së paku tre dekadash, gjë që u dëshmua edhe nga prania e tyre në Parlament dy orë para se seanca të niste.
Teksa kalonte traun e Parlamentit, Berisha përshëndeti protestuesit që kishin dalë në mbështetje të tij, ndërsa deputetët e tjerë të PD-së po e prisnin në oborrin e Kuvendit. Policia e Shtetit ishte mobilizuar në masë për protestën e thirrur nga Sali Berisha, ndërsa brenda Parlamentit Garda kishte në dorë një listë me 10 deputetë demokratë të cilët nuk i lejoi të futeshin në sallë.
Mosbindja civile e opozitarëve në Parlament nuk e pengoi mazhorancën që të jepte 75 votat e saj pro heqjes së imunitetit të Sali Berishës. Ndërsa rivalët brenda llojit, Lulzim Basha me grupin e tij, nuk u paraqitën në Parlament, ndonëse përmes një raporti të dytë i kishin kërkuar Kuvendit të votonte pro heqjes së imunitetit.
Edi Ramës nuk i lëvizi qerpiku me kartonin jeshil në dorë, ndërsa Tulant Balla reflektonte lumturinë e tij për këtë votë pro.
Seanca mbylli punimet në 8 minuta. Sali Berisha kaloi pragun e Parlamentit për herë të fundit, duke u ndalur fillimisht me gazetarët: “Ky është përfundimi i një procesi të nisur më 9 shtator 2021”.
Më pas, iu drejtua protestës, ku e priste edhe e bija, me kërkesën për mobilizimin e strukturave të partisë për të përshkallëzuar aksionin: “Do të protestojmë!”
Më pas, u largua drejt selisë së PD-së, për t’u përgatitur tashmë për betejën ligjore me SPAK-un që e akuzon për korrupsion pasiv.
Kuvendi nuk humbi kohë dhe brenda pak orësh njoftoi zyrtarisht Prokurorinë e Posaçme se e ka rrugën e lirë për të arrestuar Sali Berishën. (A2 Televizion)